Një emër i ri është shfaqur në listën e Arsenalit për sulmues gjatë afatit kalimtar të verës, në kuadër të përpjekjeve të tyre për transferimin e Benjamin Sesko. 

‘Topçinjtë’ kanë përfunduar si nënkampionë në tri sezonet e fundit të Ligës Premier, dy herë pas Manchester Cityt dhe së fundmi të dytët pas Liverpoolit, në sezonin e parë të Arne Slot në stolin e ‘Të Kuqve’. 


Është e pranuar gjerësisht se skuadra e Mikel Artetës ka nevojë për një sulmues qendre për të hedhur hapin e fundit drejt titullit të parë në Ligën Premier që nga viti 2004. 

Arsenali nuk bëri asnjë përforcim gjatë afatit të janarit, por një qendërsulmues është në krye të listës së blerjeve.  

Mes emrave të përmendur janë Viktor Gyokeres i Sporting Lisbonës dhe Benjamin Sesko i Leipzig. 

Klubi londinez mund të ketë marrë një shtysë pozitive në garën për Seskon, pasi është raportuar se eipzig ka vendosur ta ulë çmimin për të. 

 Më parë, klubi gjerman kërkonte mes 68 dhe 85 milionë euro për sulmuesin slloven, shifër që Arsenali nuk ishte i gatshëm ta paguante. 

Megjithatë, sipas gazetës gjermane Bild, Leipzig është tani i gatshëm ta shesë lojtarin për më pak se 60 milionë euro. 

Një tjetër emër surprizë që është shtuar në listën e Arsenalit është sulmuesi i Chelseat, Nicolas Jackson, sipas The Transfers Podcast. 

Klubi londinez është duke monitoruar situatën e tij, pasi Chelsea ka transferuar tashmë Liam Delap nga Ipswich Town dhe është në bisedime edhe për Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt./Telegrafi/

telegrafi sport app