Lideri suprem i Iranit pretendon se i ka një milion trupa në gjendje gatishmërie, qindra raketa të gatshme për lansim dhe të sulmojnë nëpër gjithë Lindjen e Mesme dhe forcat guerile për t’u hakmarrë ndaj amerikanëve për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani.
Lëvizja e parë hakmarrëse e Teheranit, bëri që 22 raketa të lansohen mbi bazat e ushtrisë amerikane në Irak gjatë mbrëmjes së kaluar. Sidoqoftë, pavarësisht opsioneve të shumta që i ka pasur në tavolinë, besohet se Ayatollah Ali Khamenei kishte vendosur për sulm, transmeton Telegrafi.
Për fat të mirë nuk ka pasur viktima tek ushtarët amerikanë në këto sulme, ndërkaq burime brenda qeverisë amerikane dhe disa vendeve evropiane, kanë bërë të ditur se Irani qëllimisht ua kishte devijuar rrugëtimin raketave, pavarësisht kërcënimeve për hakmarrje.
Megjithatë, tensionet nuk kanë të ndalur, pasi që Ayatollah ka 150 mijë anëtarë në trupën elitare të Gardës Revolucionare, 350 mijë ushtarë të rregullt dhe gjysmë milioni rezervistë.
Në anën tjetër marina iraniane njihet për taktikat e saj guerile të luftimit me anije të vogla por të shpejta, të pajisura me mitralozë dhe raketa si dhe nëndetëset e minat që i fusin në ujë në rast të ndonjë pushtimi.
Një e treta e gazit të lëngshëm në botë dhe pothuajse një e katërta e naftës së Iranit, rrjedh nëpër ujërat e cekëta në bregdetin jugor të këtij vendi, që edhe ishte vend ku kryheshin sulmet me dron ndaj anijeve që transportin naftë.
Shpenzimet në mbrojtje ishin rritur në këtë vend pas heqjes së sanksioneve pas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, por ato filluan të bien ndjeshëm që kur presidenti amerikan Donald Trump i rivendosi ato. Shpenzimet për mbrojtje gjatë vitit të kaluar ishin rreth 20.7 miliardë dollarë – rreth 3.8% e GDP-së.
Megjithatë sipas Agjencisë së Inteligjencës dhe Mbrojtjes, Teherani është i përkushtuar që të jetë fuqi mbizotëruese në Lindjen e Mesme.
Raketat
Raketat balistike të Iranit siç ishin ato që u përdorën gjatë sulmit mbi bazat ajrore të ushtrisë amerikane, konsiderohen si më të rrezikshmet në arsenalin e ushtrisë iraniane. Ky vend konsiderohet se ka numrin më të madh të arsenalit të raketave në Lindjen e Mesme.
Në mungesë të teknologjisë së avancuar te forcat ajrore, kjo nënkupton se janë detyruar të prodhojnë armë me rreze të gjata të veprimit për t’iu kundërpërgjigjur armikut në rast të ndonjë sulmi në këtë rajon.
Këto raketa mund të arrijnë deri në 1,250 milje, mjaftueshëm për të sulmuar Evropën Lindore. Raketa me rrezen më të gjatë veprimit që ata e posedojnë quhet Emad-1, transporton 770 kilogramë lëndë shpërthyese mijëra milje larg vendit.
Ndërkaq raportohet se dy lloje të raketave balistike janë përdorur për të sulmuar bazat ajrore amerikane në Ain al-Asad, në pjesën perëndimore të Irakut si dhe rreth Erbilit në pjesën e kurdëve të Irakut. Shumica prej tyre besohet të jenë Fateh-110, që udhëtojnë 180 milje dhe bartin me vete 225 kilogramë lëndë shpërthyese.
Gjithashtu raportohet se ata përdorën edhe raketën Qiam-1, raketë balistike me rreze të shkurtër të prodhuar në Iran, dhe që udhëton deri në 500 milje dhe bartë 350 kilogramë eksploziv.
Fateh-110 është një raketë e dizajnuar në Iran me rreze të shkurtër veprimi që mund të lansohen nga çfarëdo lokacioni. Ndërkaq Qiam-1 është ndërtuar enkas për të sulmuar bazat ajrore amerikane në Lindje të Mesme.
Sikurse Shahab-1 dhe Shahab-2, raketa ballistike me rreze të shkurtër veprimi, Qiam-1 përdor teknologjinë Scud. E kur Fateh-100 u lansua, ajo ishte përshkruar nga ministri iranian i Mbrojtjes, Amir Hatami, si raketë “100% vendore”.
Irani ka investuar shumë në raketat e reja që përdorin teknologjinë e përcjelljes me navigacion gjatë fluturimit, dhe janë shumë të manovrueshme në veçanti kur bëhet fjalë për ndonjë sulm ndaj ndonjë baze ushtarake apo anije në det.
Megjithatë Irani nuk mund të mburret shumë me raketa balistike me rreze të shkurtër (IRBM) dhe ato interkontinentale balistike (ICBM), por nëse ekziston rreziku nga sulmi i SHBA-ve, atëherë pretendon se do ta shqyrtojë seriozisht zhvillimin e një rakete të re.
Lufta guerile detare
Faktor kyç në fuqinë e Iranit në rajon është aftësia për të “uzurpuar” Gjirin Persik dhe ngushticën e Hormuzit, përmes të cilës rrjedh një e treta e naftës në botë.
“Mbrojtja detare e Iranit përbëhet nga platforma të shumta dhe armë që përdorën në një mënyrë të kombinuar, për të mposhtur forcat detare të kundërshtarëve. Irani praktikon taktikat asimetrike siç janë sulmet me anije të vogla”, thuhet në raportin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Mbrojtjes.
Iranit përdor raketa kundër anijeve të njohura si ASCM, sulmojnë shpejtë dhe i fundosin për pak minuta anijet e armikut, e për të arritur këtë përdorin edhe minat në ujë për shkatërrimit të nëndetëseve.
Në flotën e saj të madh ka anije të vogla por shumë të shpejta të pajisura me mitralozë, raketa dhe raketa silur e mina. Në pronësi ka 14 nëndetëse të klasit Yono, 3 tjera të klasit Kilo dhe luftanije në Gjirin Persik.
Marina
Marina e Republikës Islamike të Iranit, përbëhet nga një personel prej 18 mijë personave që ndryshe njihet si ushtria e kaltër konvencionale e Iranit.
Objektivat kryesore të saj janë ruajtja e pasurisë së vendit në Detin Kaspik dhe Gjirin e Omanit. Përbëhet nga anije me sipërfaqe të madhe, por shumë të vjetra si dhe nëndetëse të vogla moderne.
Që nga viti 2009, ata janë përfshirë në patrullime jashtë vendit në Gjirin e Adenit për t’i luftuar piratët, dhe gjithashtu kryejnë vizita në porte të huaja dhe ushtrime të përbashkëta me marinën e shteteve tjera.
Marina e Gardës Revolucionare përbëhet nga 20 mijë persona, që kanë për detyrë të mbrojnë vijën bregdetare të vendit. Taktikat e tyre të luftimit njihen për shpejtësinë, sulmet befasuese.
Forcat Ajrore
Forcat Ajrore iraniane janë të shpërndara në gjithë vendin dhe njihen si IRAF dhe IRIADF. Afërisht 37 mijë persona shërbejnë në IRIAF që ka në pronësi 741 aeroplanë dhe helikopterë, dhe operojnë kryesisht në të katër anët e vendit të shpërndarë në 11 baza kryesore ajrore.
Përdor aeroplanë të ndryshëm prodhim amerikan, rus dhe kinez, aty përfshihen aeroplanët amerikanë F-14 Tomcat, F-4 Phantom II dhe F-5 Tiger II, sa i përket atyre rus – MiG-29 Fulcrum dhe Su-24 Fencer. E kur është fjala për kinezë – F-7 Airguard. Në flotën e fluturakeve ka edhe Su-22 Fitters, EMB-312 Tucanos, Y-12, Dassault Falcon 20, MFI-17, IL-76 dhe An-74.
Mbrojtja Ajrore
IRGCASF gjithashtu posedon një sërë raketash tokë-ajër (SAM) dhe radarë të dizajnuar për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, pasi mund të detektojnë raketat e armikut nga një distancë e madhe. Që nga viti 2017, përdorin sistemin SAM që konsiderohet si arma më e avancuar për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Në qershor të vitit të kaluar, IRGCASF ka përdorur sistemin SAM, kopje e sistemit raketor kundërajror rus BUK M3 për të rrëzuar dronin amerikan RQ-4.
Këmbësoria
Këmbësoria e Republikës Islamike numëron rreth 350 mijë ushtarë, që janë të përkushtuar në maksimum ta mbrojnë atdheun nga pushtimi i mundshëm. Shumica prej tyre janë të rinj që kanë shërbyer nga dy vite në shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Ata posedojnë 2 mijë tanke të prodhimit rus T-72S, helikopterë AH-1 Cobra, Bell 214, CH-47 Chinook dhe AB 206. Por, rol kyç në luftëra luajnë mjetet e blinduara gjithashtu prodhime ruse siç janë ato amfibe BMP-2 dhe ato amerikane M-109 howitzer.
Viteve të fundit këto forca kanë qenë të përfshira në luftën civile në Siri, Irak dhe Jemen. Ndërkaq Garda Revolucionare në krye me njësinë Quds të themeluar nga gjenerali i vrarë Qassam Soleimani, konsiderohet si vendimmarrëse.
Armët bërthamore
Në fund të viteve 80, Irani në mënyrë të fshehtë filloi të zhvillojë programin bërthamor në një qendër kërkimore e njohur si PHRC. Ndërkaq në fund të viteve 90, PHRC famëkeq fitoi vëmendjen e botës me projektin Amad, që kishte për qëllim prodhimin e raketave Shahab 3.
Në vitin 2003, SHBA detyroi Iranin të ndërprenë programin e uraniumit të pasuruar e dy vite më vonë arritën marrëveshje me ndihmën e presidentit të atëhershëm amerikan Barack Obama. Ndërkaq, pasi erdhi në krye presidenti Donald Trump, shkëputi marrëveshjen e arritur nga Obama, duke bërë kështu që tensionohet situata në Lindje të Mesme. /Telegrafi/