Armëpushimi i Putinit tregon se ndaj tij më funksionon shkopi sesa karrota

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
A u tërhoq vallë Putini i pari në çështjen e Ukrainës? Që prej marrjes së detyrës në janar, Donald Trumpi ka kërkuar një përfundim të armiqësive. Presidenti amerikan propozoi një armëpushim të plotë, të cilin Ukraina e pranoi, por Rusia e refuzoi duke e kushtëzuar me ndalimin e mobilizimeve nga Ukraina dhe ndërprerjen e furnizimeve me armë nga Perëndimi.
Pas negociatave të ndërlikuara midis Uashingtonit dhe Moskës, të premten amerikanët shprehën frustrimin e tyre, në krye me Trumpin dhe sekretarin e tij të Shtetit, Marco Rubion, të cilët kërcënuan se do të tërhiqeshin nga ndërmjetësimi për paqe nëse nuk do të ketë shenja përparimi në ditët në vijim.
Kjo duket se e tronditi Putinin, pasi ditën pasuese shpalli një armëpushim të njëanshëm me rastin e Pashkëve.
Kjo është një manovër e qartë për të mbajtur vëmendjen e Trumpit dhe për t’i dhënë mundësinë që, në stilin e tij karakteristik, të shpallë një lloj fitoreje në negociata. Edhe pse Putini nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të Ukrainës, veçanërisht asaj për të hequr dorë nga territoret e pushtuara, ai dëshiron që kjo luftë të përfundojë - të paktën për momentin.
Ekonomia ruse është në një gjendje të rëndë dhe Moska ka nevojë për një pauzë të gjatë në armiqësi për të nisur rikuperimin e vet. Për më tepër, Rusia nuk e përballon dot rrezikun e sanksioneve më të ashpra që po diskutohen aktualisht mes ShBA-së dhe vendeve evropiane, me bisedime të tjera që priten në Londër në javën e ardhshme.
Putini gjithashtu ia ka frikën Trumpin. Ai e di mirë se përkëdheljet e Trumpit ndaj Ukrainës dhe ajo që për disa duket si afërsi me Rusinë, në fakt janë thjesht taktika negociuese.
Ai e di gjithashtu se figura e paparashikueshme në Shtëpinë e Bardhë është më se e aftë të ndryshojë drejtimin në çast - në çdo kah, dhe në mënyra që mund të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për Rusinë. Nga një këndvështrim më i gjerë, Putini ka humbur kohët e fundit ndikimin në Lindjen e Mesme - pas rënies së regjimit të Assadit në Siri. Ai nuk mund të përballojë të humbasë më shumë ndikim. Për më keq, ai nuk e di se çfarë do të bëjë Trumpi për Iranin, me të cilin shtet Rusia ka një partneritet strategjik që përfshin, ndër të tjera, furnizimin e vazhdueshëm me dronë dhe armë të tjera për luftën në Ukrainë.
Shqetësimet e Putinit për politikën e Trumpit ndaj Iranit dolën në pah kohët e fundit, kur Moska u detyrua të deklaronte se nuk kishte asnjë detyrim të mbronte Iranin në rast sulmi. E gjithë kjo tregon se Putini kërkon njëfarë rehabilitimi nga administrata Trump, më tepër sesa ta provokojë atë.
Pavarësisht kësaj perspektive afatmesme, mund të jemi të sigurt se Putini nuk është i sinqertë në shpalljen e armëpushimit dhe sigurisht nuk është i shtyrë nga konsiderata humanitare apo fetare. Përveç përpjekjes për ta qetësuar Trumpin dhe për të mbajtur vëmendjen e tij të përqendruar në negociata, kjo është gjithashtu një përpjekje e vrazhdë për ta kthyer narrativën kundër palës ukrainase. Në njoftimin për armëpushimin, Putini la një mundësi të hapur për t’u tërhequr, duke thënë se ai supozonte që Kievi do ta pranonte. Ai gjithashtu qëllimisht theksoi përpara gjeneralit Valery Gerasimov, shefit të Shtabit të tij, se forcat ruse duhet të jenë të përgatitura për “provokime” nga ana e Ukrainës. Ky është një tregues i qartë i synimit të tij për të kapur ose për të sajuar ndonjë incident të tillë dhe për të pretenduar se Volodymyr Zelensky nuk është serioz në përpjekjet për paqe, duke ia kaluar fajin Ukrainës dhe duke nxitur kërkesa të mëtejshme ndaj saj nga Shtëpia e Bardhë.
Përderisa nuk e ka refuzuar në mënyrë kategorike armëpushimin e Putinit, presidenti ukrainas me të drejtë e ka akuzuar atë për “lojë me jetën e njerëzve”. Do të shohim nëse ky armëpushim do të qëndrojë qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Por, Shtëpia e Bardhë do të ishte mirë të shihte këtë veprim si një manovër propagandistike, ashtu siç është në të vërtetë, dhe si një tregues i fortë i nevojës së Putinit për ta mbajtur Trumpin të përfshirë. Për momentin, duket se shkopi i Trumpit dhe Rubios po funksionon më mirë se karrota. /Telegrafi/



















































