Ardian Hoxha flet për bizneset, sukseset dhe sfidat

Kur është fjala për bizneset, gjithmonë merret si synim “suksesi”. E për ndërmarrësin Ardian Hoxha ky synim është bërë veç më i pandarë. Ai vjen me një intervistë për Telegrafi Maqedoni për të treguar më saktë rreth çdo biznesi dhe suksesi që ka arritur.
Intervistoi: Aroma Aliti
Ju jeni nga Maqedonia, por jetoni dhe veproni në Kosovë, cila është arsyeja që jeni disa kilometra larg vendlindjes? Unë kam lindur në Shkup, por me prejardhje jam nga Kosova, pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar në Kosovë, kam jetuar në Ferizaj dhe Prishtinë. Gjithmonë kam pasur bindje se Kosova është zemra e shqiptarëve dhe ndjehem si kosovar, gjithashtu te ardhmen time dhe të familjes e kam pa në Kosovë dhe si rrjedhojë bizneset e mia i kam zhvilluar këtu, normal pretendoj që në të ardhmen të punoj edhe ndërkombëtarisht por gjithmonë me bazë në Kosovë.
Çka ju ka shtyrë që gjithmonë e më shumë të merreni me biznese? Unë jam ndërmarrës, jam rritur në ndërmarrësi, në çarshi. Familja ime merret me biznese të argjendarisë nga viti 1965 dhe secili prej neve së pari lind si argjendarë, pastaj vazhdojmë të merremi qoftë me argjendari qoftë me biznese tjera. Unë gjithmonë kam pasur synimin tim që të bëj më tepër për vendin tim dhe pas rritjes në biznesin e argjendarisë, me mbarimin e studimeve vendosa të bëj diçka që ishte edhe biznes edhe kontribut për vendin, kështu që e themelova “American School Of Kosova”, isha 21 vjeç kur e fillova si kompani, ideja ka qenë që t’u mundësojmë fëmijëve të mbarojnë një shkollim të nivelit të lartë amerikan. Pastaj duke dashur gjithmonë që të bëj më tepër, në vitin 2006 themelova Duplex Club-in, me këtë club kemi arritur të formular një club të nivelit botëror dhe në fakt në vitin 2010 kemi fituar Fashion TV Night Light Award. Të promovojmë Kosovën nëpër botë përmes diasporës tonë dhe të tregojmë se në Kosovë ka jetë dhe njerëz të mirë. Gjithashtu motra ime Qëndresa dhe vëllai Flakroni kishin idenë e hapjes së “Green Protein”, ku unë normalisht se i mbështeta si mentor. Dhe tani kam filluar që të jem edhe si udhëheqës i kompanisë, pasi që përgatitemi të dalim ndërkombëtarisht me këtë kompani, dhe në mes të shtatorit do të fillojmë dyqanin tonë të parë “French Eyes”, pretendimet janë shumë të mëdha prandaj dhe angazhimi është më i madh. Poashtu hapem edhe “Glamour Radio” që është një “hit music radio” dhe kjo është një kontribut për fushën e medias në Kosovë, ideja ishte përveç që të kishim një radio të mirë, të jemi dhe model se si punohet dhe si arrihet sukses edhe në fushën e mediave edhe në radio. Është biznes shumë i suksesshëm dhe profitabil dhe pretendojmë që edhe me Glamour Radio të arrijmë suksese ndërkombëtare. Pas kësaj e hapa agjencionin Travel Mate edhe këtu ideja ishte të ofrojmë shërbime që nuk ekzistojnë në Kosovë. Pas kësaj bashkë me një mik timin, hapa edhe restorantin Sushico që është me prejardhje kineze, tajlandeze dhe ekziston diku 6 muaj dhe është numër një me shitje nga gjithë rrjeti që janë me shitje nëpër botë. Tani kemi pretendime të hapim edhe në shtete tjera ndaj jemi duke bërë përgatitje.
Çka ndodhi me "Albafone", pse dështoi? Në vitin 2010 e hapa kompaninë e "Albafone" në Maqedoni, kompani e telefonisë mobile, kompani virtuale, ideja ishte që të ofrojmë shërbime në gjuhën shqipe pasi që kjo ishte mungesë, po ashtu ide tjetër ishte të bëhet një brend i fortë shqiptar në Maqedoni dhe të jetë edhe si shembull për të rinjtë dhe të rejat shqiptar të Maqedonisë, të dinë se çfarë të arrijnë. Normal si fillim kishim vështirësitë tona, pengesat shtetërore të panumërta mirëpo çka e bëri biznesin që të mos mund të vazhdojë, ishte një aksident ku unë me të shoqen gati se e humbëm jetën dhe kemi ngelur edhe me pasoja të rënda trupore dhe pasi qe isha 9 muaj larg biznesit kur u ktheva e gjeta në gjendje shumë të rëndë kështu që duhej t’a mbyllim si kompani dhe me krenari e them që ka qenë një prej dështimeve të mia të biznesit me përmasa të mëdha dhe mburrem me gjithë këtë dështim dhe gjithë këtë eksperiencë dhe e konsideroj pjesë të suksesit tim.















































