LAJMI I FUNDIT:

Angazhim i shtuar amerikan për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Angazhim i shtuar amerikan për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur, se nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump do të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi. Albin Kurti premton koordinim me Thaçin për politikën e jashtme të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i ngarkuari i presidentit, Donald Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell e kanë intensifikuar angazhimin për rifillimin e dialogut Kosovë dhe Serbi të ndërprerë prej më shumë se një viti. Disa herë përmes twitter-it në fundjavën që shkoi, Richard Grenell i kërkoi palës kosovare që ta heqin tarifën ndaj mallrave serbe për t’i hapur rrugë dialogut. Një vlerësim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai lëvdon ndërmjetësin Grenell për angazhimin e tij, e shpërndau në twitter vetë presidenti amerikan, Donald Trump. Kjo e nxiti Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të deklarojë, se nën udhëheqjen e presidentit amerikan, ai është i bindur se do të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.

“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell, jam besimplotë, se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe shtetin e Kosovës”, shkroi të dielën në profilin e tij social, Hashim Thaçi.


Albin Kurti premton bashkëpunim me Thaçin

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi, se ai do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin Hashim Thaçi për të përfaqësuar në mënyrë unike politikën e jashtme të vendit. “Është urgjente që ne të kemi një politikë të jashtme unike në arenën ndërkombëtare. Që mos të vazhdohet sikur këto dy tri vjetët e kaluara. Qeveria e re dhe unë si kryeministër i ri dua të koordinohem edhe me presidentin aktual të vendit në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri do të bëhet e dëmshme. Mendoj që kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”, deklaroi kryeministri Kurti.

Albin Kurti tashmë e ka konfirmuar se do ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë, por atë do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë, politik tregtar dhe ekonomik ndaj Serbisë. “Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë, se me Serbinë do të kemi reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100%. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti në parimin, i cili më së shumti njihet në vlerën e tij në raporte fqinjësore bilaterale, e ky është reciprociteti”, ka deklaruar Albin Kurti.

Vuçiq: “Gjërat nuk janë aq të thjeshta”

Deklaratat e Albin Kurtit për vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë i ka komentuar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ai thotë se “gjërat nuk janë aq të thjeshta sikur je në opozitë dhe flet pa përgjegjësi”, citojnë mediet serbe. “Sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet, kjo nuk mund të ndodhë, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet”, ka deklaruar Vuçiq, i cili megjithatë, paralajmërimin për heqjen e tarifës nga qeveria e Kurti, e quan lajm të mirë.

Ndërsa në Kosovë dy liderët e opozitës së re, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e kundërshtuan Albin Kurtin, i cili do ta heqë tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë. “Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poenë të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të do e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na do as miku. Rikonsideroje vendimin Albin. Ne mund të vazhdojmë të mos pajtohemi. Për këto mospajtime sovrani ka dhënë verdiktin më 6 Tetor, por kjo është një temë më e madhe se sa një grusht vota”, shkroi në një letër publike drejtuar Kurtit, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, Kadri Veseli ish-kryetar i kuvendit të Kosovës, i kërkoi Albin Kurtit “që mos të ngutet me heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë”, por këtij i reagoi menjëherë i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell. “Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që ta heqin taksën 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, shkroi Grenell në twitter.

Qasje e ndryshme BE SHBA ndaj Kosovës?

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi Richard Grenell, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në dialogun Kosovë-Serbi. Edhe shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, gjatë vizitës në Kosovë u shpreh “se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve”. Shefi i diplomacisë evropiane tha se Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë në dialogun Kosovë-Serbi, por pa bërë gara me SHBA-së apo të dërguarin e presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Josep Borrell paralajmëroi, se edhe BE-ja do ta emërojë një përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi.

Analistët politikë shohin dallime në qasjen e SHBA-së dhe BE-së në dialogun  Kosovë-Serbi. Sipas Armend Mujës, SHBA dhe BE kanë qasje të ndryshme sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. “SHBA-të përmes Ambasadorit Richard Grenell do të insistoj për një qasje të përshpejtuar të dialogut, ndërsa BE do të insistoj për një qasje më të ngadalshme. Trump do të insistoj për konkludim të shpejtë të bisedimeve para fushatës për zgjedhje presidenciale në nëntor 2020. Dy parime kryesore do të dominojnë qasjen e SHBA-së, shpejtësia dhe një perceptim që zhvillimi ekonomik ndihmon uljen e tensioneve mes vendeve. Ndërsa, BE ende nuk ka një qasje të unisuar”, thotë Armend Muja, duke rikujtuar me herët ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, nga ish-shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini dhe me vonë përmes procesit të  Berlinit të inicuar nga Presidenti francez dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Merkel tashmë zyrtarisht e ka ftuar për vizitë në Berlin kryeministrin e ri të Kosovës Albin Kurti, duke i rikujtuar se qeverinë e tij e presin detyra të vështira. “Ju dhe qeveria juaj keni detyra të rëndësishme dhe të vështira përpara jush. Kjo përfshin krijimin dhe zgjerimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e situatës ekonomike dhe veçanërisht, dialogun për normalizimin me Serbinë. Këto janë hapat kryesorë për të forcuar perspektivën evropiane të vendit tuaj. Qeveria Federale do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë mënyrë”, shkroi Merkel në letrën e urimit për qeverinë e re të Albin Kurtit. Akoma nuk është bërë e ditur data, se kur Albin Kurti do të udhëtojë për në Gjermani, por ajo që tashmë dihet është, se vizitën e parë jashtë Kosovës si kryeministër, Albin Kurti do ta realizojë në Shqipëri gjatë së martës, 11.02.2020. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ndalohet një qytetare serbe për incizim të jashtëligjshëm të postbllokut të Policisë së Kosovës në Bistricë

Ndalohet një qytetare serbe për incizim të jashtëligjshëm të postbllokut të Policisë së Kosovës në Bistricë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Kalo në kategori