Analistët politikë Imer Mushkolaj dhe Visar Ymeri kanë komentuar reagimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili doli në mbrojtje të deputetit të kësaj partie, Besian Mustafa, pas deklaratës së tij se LDK kishte gabuar rëndë kur kishte votuar Hashim Thaçin për president.

Reagimi i Abdixhikut, është cilësuar si i panevojshëm dhe me gjuhë të papranueshme nga Mushkolaj.


“Ky ishte një reagim i panevojshëm, me një gjuhë të papranueshme. Kjo është gjuhë që ne vazhdimisht e kemi dënuar në studio televizive, sidomos kur ka ardhur nga zyrtarë të Vetëvendosjes. Kjo, sipas meje, është një përpjekje që për dështimet e veta si kryetar i LDK-së, z. Abdixhiku ta hedhë fajin diku tjetër”, ka deklaruar Mushkolaj në RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për humbjet elektorale të LDK-së nuk u takon mediave apo gazetarëve, por vetë partisë.

“Duhet me pas parasysh që për humbjen e LDK-së nuk kanë faj as mediat, as gazetarët e as opinionistët. Ka faj vetë LDK-ja”, ka theksuar ai.

Edhe analisti Visar Ymeri ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Abdixhiku ndaj mediave dhe komunitetit kritik, duke e cilësuar atë si tipike për diskursin populist.

“Kjo gjuhë është përngjasim i një tendence të ndarjes së shoqërisë në mes të ‘NE’ dhe ‘ATYRE’, që është mekanizëm bazë i populizmit. Kjo nuk i shkon një partie demokratike që synon një shoqëri liberale”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, nuk është e drejtë që çdo kritikë të etiketohet si e porositur apo e paguar, pa pasur fakte konkrete.

“Jo secili që nuk pajtohet me ty është i shtirë nga dikush ose i paguar nga dikush. Ky lloj i mendimit është gabim, përveçse nëse ke fakte, të cilat pastaj duhet t’i publikosh”, ka theksuar Ymeri.

Në fund, Ymeri ka shtuar se zgjedhja e udhëheqjes së LDK-së është çështje e brendshme e partisë, duke theksuar se përgjegjësia për drejtimin e saj u takon vetë anëtarëve.

“Nëse ata mendojnë që mund të ecin përpara me Lumir Abdixhikun, le të vazhdojnë me të. Është vendim i tyre”, ka përfunduar Ymeri.

- YouTube youtu.be