Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Luis Enrique rinovon me PSG-në

Luis Enrique ka nënshkruar kontratë të re me Paris Saint-Germain dhe do të vazhdojë të jetë trajner i kampionëve të Evropës deri në verën e vitit 2030.

Kontrata e mëparshme e trajnerit spanjoll skadonte në verën e vitit 2027, por PSG ka vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin me të edhe për tri vite të tjera, pas suksesit të jashtëzakonshëm të viteve të fundit.

Enrique mori drejtimin e PSG-së në korrik të vitit 2023, pas largimit të Christophe Galtier. Ardhja e tij përkoi me një ndryshim të rëndësishëm në filozofinë e klubit, i cili gradualisht u largua nga grumbullimi i yjeve të mëdhenj dhe nisi të ndërtonte një skuadër më të re, më atletike dhe më të disiplinuar taktikisht.

Largimi i Kylian Mbappés drejt Real Madridit në vitin 2024 i dha Enriques edhe më shumë kontroll mbi projektin sportiv, ndërsa rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme.

Nën drejtimin e tij, PSG ka fituar tri tituj radhazi të Ligue 1, në vitet 2024, 2025 dhe 2026, si dhe dy Kupa të Francës, tri Superkupa të Francës dhe Kupën Ndërkontinentale në vitin 2025.

Por suksesi më i madh ka ardhur në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2025, PSG fitoi për herë të parë në histori trofeun më prestigjioz evropian, duke mposhtur Interin 5-0 në finalen e Mynihut.

Një vit më vonë, skuadra e Enriques e mbrojti titullin. PSG eliminoi Monacon, Chelsean, Liverpoolin dhe Bayern Munichun në fazën nokaut, ndërsa në finalen e zhvilluar në Budapest ndaj Arsenalit triumfoi pas penalltive, me rezultat 4-3, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë.

Me këtë sukses, PSG u bë klubi i parë francez që fitoi dy Liga të Kampionëve dhe vetëm klubi i dytë që arriti të mbrojë titullin në epokën moderne të garës. /Telegrafi/