Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Jeremy Doku edhe për pesë vite te Man City

Jeremy Doku ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me Manchester Cityn.

24-vjeçari iu bashkua Cityt në verën e vitit 2023 nga Rennes për një shumë të raportuar prej 55.5 milionë funte (65 milionë euro), ndërsa kontrata e re do ta mbajë atë në “Etihad Stadium” deri në qershor të vitit 2031.

Doku ka bërë 131 paraqitje me fanellën e Cityt, duke shënuar 22 gola dhe duke dhuruar 29 asistime në tri sezonet e tij nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Anësori ka fituar një titull të Ligës Premier, një FA Cup, një EFL Cup, Community Shield dhe Kupën e Botës për Klube. Tani ai synon të shtojë edhe më shumë trofe në koleksionin e tij nën drejtimin e Enzo Marescas.

“E kam shijuar shumë kohën time te City deri tani, ndaj mundësia për të qëndruar edhe më gjatë është një ndjenjë fantastike”, ka thënë Doku për faqen zyrtare të klubit.

“Ky klub do të thotë shumë për mua – jam zhvilluar si futbollist dhe si person. Ndihem i vendosur këtu dhe e di se po përmirësohem çdo ditë falë punës që bëjnë stafi këtu.

“Është e vështirë të shpjegosh se sa shumë bën ky klub për t’i ndihmuar lojtarët. Nuk e marr asgjë si të mirëqenë dhe kjo më bën një futbollist më të mirë.

“Me Enzon këtu tani, jam shumë i emocionuar për sezonin e ri. Stili i tij i futbollit është ai që ne e duam, ndaj kjo është diçka emocionuese për lojtarët.

“Edhe tifozët e Cityt janë një arsye shumë e madhe pse kam nënshkruar këtë kontratë të re. E ndiej dashurinë dhe mbështetjen e tyre dhe kjo do të thotë shumë për mua. Dua të fokusohem në sjelljen e suksesit që ata e meritojnë”.

Që prej debutimit të tij te City, Doku ka regjistruar më shumë asistime se çdo lojtar tjetër i klubit, me 29 të tilla. Vetëm Erling Haaland me 128 dhe Phil Foden me 74 kanë kontribuar drejtpërdrejt në më shumë gola gjatë kësaj periudhe.

Në mesin e lojtarëve të Ligës Premier, Doku ka kompletuar më së shumti driblime që nga debutimi i tij, plot 278, ndërsa ka regjistruar edhe më së shumti aksione me topin pas një depërtimi të suksesshëm, me 311.

Ndërkohë, 136 rastet e krijuara prej tij e rendisin në vendin e katërt mes sulmuesve të Ligës Premier gjatë kësaj periudhe./Telegrafi/