Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Gashi te Ferronikeli

2016/01/zyrtare-gashi-te-ferronikeli_hd.jpg

Mangësia më e madhe në stinorin vjeshtor për Ferronikelin ishte reparti i sulmit. Futbollistët e improvizuar në këtë pozitë nga trajneri Gani Sejdiu nuk treguan maksimumin, pasi realisht ishin mësuar të kryejnë detyra tjera. Që të jenë edhe më të fortë në pranverë, ekipi nga Drenasi ka bërë ‘goditjen’ e parë.

Lideri i Superligës ka arritur marrëveshje gjashtëmujore me sulmuesin e Besës, Egzon Gashin. Ai kishte kontratë me pejanët, por ka gjetur mirëkuptimin e drejtuesve të klubit dhe ka marrë dokumentacionin.

“Kam kërkuar largimin nga Besa për të vetmen arsye, pasi nuk kisha minutazh të madh. Për nivelin e lojtarit që pretendoj se jam, kam pasur minutazh shumë të vogël dhe kam kërkuar ndërrim të ambientit. Kam pasur një takim me drejtuesit e klubit dhe jemi marrë vesh që të më lirojnë”, tha fillimisht Gashi për ‘Sport Plus’.

Ai tregon arsyen përse zgjodhi pikërisht Ferronikelin. “Kushtet e ofruara nga drejtuesit e Ferronikelit kanë qenë të mira. Ata kanë pasur nevojë për një sulmues tipik dhe kjo është pozita që më përshtatet mua. Këto janë disa prej arsyeve që kam vendosur për Ferronikelin”, shtoi Gashi, i cili pritet të prezantohet të martën. /Telegrafi/