Please enter at least 3 characters.

Zjarret dogjën 1.225 hektarë pyje, Vlora më e dëmtuara

Harta e zjarreve në pyje përgjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, pa përfshirë muajin gusht, tregon se në të gjithë Shqipërinë janë prekur nga flakët 1,255 hektarë, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Qarku më i dëmtuar deri tani është Vlora, me 466 hektarë sipërfaqe të prekur nga zjarret. Ndërsa në nivel kombëtar, korriku kryeson për sipërfaqen e përfshirë nga flakët, me 476 hektarë, i ndjekur nga marsi me 327 hektarë dhe prilli me 296 hektarë.

Mbyllja e verës po rezulton më sprovuese për Shqipërinë, e cila po përballet me zgjerimin e flakëve dhe vështirësitë në menaxhimin e zjarreve, duke sjellë një situatë të përsëritur si në gushtin e një viti më parë.

1,255 hektarë të prekur në 7 muaj

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sipërfaqet e prekura nga zjarret në pyje, për muajt janar-korrik 2026, janë:

Korrik: 476 ha

Qershor: 29 ha

Maj: 22 ha

Prill: 296 ha

Mars: 327 ha

Shkurt: 58 ha

Janar: 17 ha

Sipërfaqja totale e prekur nga flakët: 1,255 ha.

Vlora, qarku më i dëmtuar

Në Vlorë, situata paraqitet edhe më e rënduar. Vetëm në muajin korrik janë prekur 309 hektarë, ndërsa në qershor 21 hektarë.

Të dhënat sipas muajve janë:

Korrik: 309 ha

Qershor: 21 ha

Maj: 6 ha

Prill: 20 ha

Mars: 45 ha

Shkurt: 48 ha

Janar: 17 ha

Në total, në qarkun e Vlorës janë prekur 466 hektarë

Vështirësitë në përballimin e situatave të mëdha të zjarreve janë evidentuar edhe në raportin e Komisionit Europian për vitin 2025.

Në raport konstatohet se kapaciteti kombëtar është i pamjaftueshëm kur flakët përhapen në shkallë të gjerë, ndërsa Shqipëria ka një frekuencë të lartë të kërkesave për ndihmë ndërkombëtare nga Bashkimi Europian.

“Kapacitetet e reagimit të Shqipërisë shpesh mbingarkohen, veçanërisht në rastin e zjarreve, duke rezultuar në kërkesa më të shpeshta për ndihmë ndaj Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”.

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka nevojë të rishikojë planet e emergjencës dhe të përmirësojë infrastrukturën e paralajmërimit të hershëm. Gjithashtu kërkon që qeveria shqiptare të zhvillojë kapacitetet operative.

Ndër të tjera, KE i lë detyrë Shqipërisë që të rregullojë komunikimin me qendrën e emergjencave civile në Bruksel për përballimin e krizave.

“Vendi duhet të krijojë lidhjen me Shërbimet Trans-Europiane të Telekomunikacionit midis Administratave (TESTA) si parakusht për t’u lidhur me Sistemin e Përbashkët të Komunikimit dhe Informacionit të Emergjencave (CECIS), së bashku me një përdorim më të mirë të Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave të Komisionit.”

Rama: 3 avionë zjarrfikës deri në fund të vitit

Për vitin 2026, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipërisë deri në fund të vitit do t’i shtohen 3 avionë zjarrfikës.

Ndërkohë, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me vendim të Këshillit të Ministrave, do të përfitojnë nga 20% deri në 50% të pagës për çdo orë shtesë në shërbim, ku nuk mund të tejkalojnë më shumë se 200 orë në vit. /Tch/