Please enter at least 3 characters.

Zjarr në Ballancë të Vitisë, erërat e forta rrisin rrezikun e përhapjes së flakëve

Një zjarr ka përfshirë sipërfaqe me bar të thatë në fshatin Ballancë, Komuna e Vitisë, ndërsa erërat e forta po e vështirësojnë përpjekjen për vënien e situatës nën kontroll.

Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve të Vitisë, Hetem Jakupi, bëri të ditur se ekipet janë angazhuar maksimalisht në terren.

"Në këto momente është raportuar një zjarr në fshatin Ballancë, ku janë përfshirë nga flakët sipërfaqe me bar të thatë. Për shkak të erërave të forta që po fryjnë, ekziston rreziku që zjarri të përhapet edhe më tej", tha Jakupi.

Ai theksoi se fokusi kryesor i zjarrfikësve është mbrojtja e jetës, pronës dhe tokave bujqësore.

"Prioritet i ekipeve tona është të mbrojnë jetën, pronën dhe veçanërisht arat me grurë, në mënyrë që të mos digjet buka e mundit të fermerëve tanë", u shpreh ai.

Jakupi u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.

"Lusim qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në afërsi të zonës së zjarrit, të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve", apeloi ai.

Sipas tij, ekipet e NJPZSH-së Viti-AME po vazhdojnë punën në terren me shpresën që zjarri të lokalizohet dhe të shuhet sa më shpejt. /Telegrafi/