Zjarr i madh në një ishull kroat
Dy zjarre të mëdha kanë shpërthyer sot në ishullin Korçula në Kroaci, ndërsa ekipet e zjarrfikësve janë angazhuar për shuarjen e flakëve.
Sipas informacioneve të para, zjarret dyshohet se janë shkaktuar nga goditjet e rrufeve, shkruan index.hr.
Zjarri ka përfshirë zonën mes Blatës dhe Smokvicës, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm në aksion janë përfshirë edhe avionët zjarrfikës Canadair, të cilët po ndihmojnë nga ajri në luftën kundër flakëve.
Për shkak të situatës, një pjesë e rrugës në zonën e prekur është mbyllur për qarkullim.
Ekipet në terren po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur përmasat e dëmit, ndërsa operacioni i shuarjes vazhdon. /Telegrafi/


