Please enter at least 3 characters.

Zinxhiri i këputur

Komandanti i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Milija Milosevic, po ua tregonte banorëve të “Kroit të Vitakut” një dokument të UNMIK-ut, sipas të cilit ata nuk mund t’i ndërtojnë shtëpitë në atë lagje. Kështu, ai po zbatonte urdhrin e një misioni, për të cilin kosovarëve iu është thënë se e ka kryer punën dhe më nuk ka asgjë në dorë. Asgjë të keqe, do të mendojë dikush. Por, e keqja është se Milosevic e ka shef dikë tjetër. Shef i tij është Sheremet Ahmeti dhe ai do të duhej t’i respektojë urdhrat e tij. Kështu nuk ka ndodhur.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës në veri nuk kanë vepruar sipas urdhrave të eprorëve të tyre, pavarësisht se në Prishtinë thuhet se nuk ka pasur shkëputje të zinxhirit komandues. Situata e krijuar në lagjen “Kroi i Vitakut” ka qenë test për të parë se si funksionon unike policia, si institucion i rëndësishëm i shtetit. Por, pavarësisht se paguhen nga buxheti i Kosovës, pjesëtarë të saj kanë zgjedhur të veprojnë ashtu siç nuk do të ishte dashur.

Zinxhiri i këputur komandues Prishtinë-veri i Kosovës ka treguar në fakt për një problem aspak të lehtë kur bëhet fjalë për rikthimin e asaj pjese të vendit nën kontrollin e qeverisë. Përrallave të tipit “Kosova është një dhe e pandarë” nuk iu beson më askush, sepse situatat e krijuara tregojnë të kundërtën. Veriu i Kosovës funksionon jashtë sistemit legal të pushtetit dhe çdo intepretim tjetër është rrenë e madhe.

Gjatë dhjetë vjetëve të pasluftës atje është krijuar një gjendje, e cila është e pamundur të ndërrohet. Thjesht, serbët funksionojnë sipas “ligjeve të veta” dhe të provosh t’ua ndërrosh ato me forcë, nuk është fort punë e mençur.
Veprimi i komandantit Milosevic tregoi se, kur bëhet fjalë për interesa të serbëve në Kosovë, atij dhe bashkëkombësve të tij policë aq iu bën për zinxhirin komandues, aq iu bën për Sheremet Ahmetin, Zenun Pajazitin e Hashim Thaçin. Sa lehtë është të gënjejmë veten se gjithçka po funksionon si duhet, se gjithçka e kemi nën kontroll.

“Kroi i Vitakut” ishte testi i funksionimit të shtetit të Kosovës. Ajo që ndodhi tregoi se institucionet legale janë larg qëllimit për të pasur “nën komandë” gjithë vendin. Situata është delikate dhe duhet shumë mund e strategji për ta përmirësuar sadopak. Është shumë e vështirë, mbase edhe e pamundur që serbët e veriut t’ia kthejnë shpinën Beogradit për Prishtinën. Thjesht, ata e kanë krijuar mënyrën e tyre të jetës dhe me Prishtinën nuk i lidh asgjë. Një hallkë e “komandës shtetërore” është këputur diku dhe është vështirë të ngjitet. /Profil/