Zhgënjimi që mund të vijë nga GJND-ja
Nuk dihet saktësisht data kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë opinionin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës, por ajo që duket më e sigurt është se ky opinion do të shkojë në favor të të dyja palëve. Së paku kjo është ajo që pritet dhe flitet në qarqet diplomatike dhe opinionbërësve të Uashingtonit.
Një nga personat që drejton një institut që ka qenë i angazhuar dhe vazhdon të ndjekë me vëmendje çështjen e Kosovës, Xhejms Huper gjatë një takimi me Grupin Hopefelloship të Kosovës, shprehu shqetësimin e tij të hapur në lidhje me këtë çështje.
Hoper është menaxheri i një prej organizatave më të rëndësishme në Amerikë, Public International Law and Policy Group (PILPG), e cila punon si një konsulente ligjore me shtrirje globale, që ofron mbështetje falas për ngritjen dhe zhvillimin e shteteve të cilat kanë kaluar nëpër konflikte. Mjafton të përmendim angazhimin e saj në negociatat e Rambujesë dhe më pas në Marrëveshjen e Ohrit për të kuptuar interesin dhe njohjet e tyre për Kosovën.
Për t’u kthyer te GJND-ja, pritjet në kryeqytetin amerikan duket se nuk janë të mëdha, të paktën aq të mëdha sa janë ato në kryeqytetin e Kosovës. Këtu e kam fjalën veçanërisht për politikanët e të gjitha kampeve disi me naivitet kanë deklaruar dhe vazhdojnë të deklarojnë se “vendimi i Gjykatës ndërkombëtare do të jetë pozitiv”.
Maksimumi për të cilin iu kanë folur njerëzve është qëndrimi neutral. Mirëpo e vërteta është se as kjo nuk është e sigurt, e madje asgjë nuk është e sigurt me gjithë angazhimin e shumë shteteve të rëndësishme në këtë proces.
Dëshirën e kemi të gjithë të jetë vendim pozitiv, por ja që duhet të shohim përtej dritares së shtëpisë. “Informacionet që kemi ne dhe nga analizat që bëjmë na del se do të jetë një vendim i cili do t’u japë diçka të dyja palëve” shpjegoi më tej Huper në një intervistë, prandaj diplomacia e Kosovës duhet të mobilizohet në mënyrë urgjente, duke filluar që tani që të punojë individualisht me shtetet për të marrë sa më shumë njohje.”
Me pak fjalë Prishtina duhet të fillojë, nëse nuk ka filluar deri tani të përgatitet mirë për vendimin dhe pasojat e vendimit.
Huper i jep shumë “grante” Beogradit për zhdërvjelltësinë e treguar në lidhje me Kosovën. “Me dërgimin e Kosovës në Gjykatën ndërkombëtare është treguar i shkathët që t’i shtyjë njohjet dhe të bllokojë procesin”, thotë ai. Por nga ana tjetër Prishtina nuk është treguar aspak e shkathët që të marrë sa më shumë njohje nga shtetet të tjera.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare edhe sikur të ishte pozitiv për Kosovën, natyrisht nuk do të ndryshonte dhe të shtynte Rusinë që ta njihte Kosovën, por do të kishte një impakt apo do të ishte një justifikim për disa vende, të cilët janë të pavendosur dhe në pritje. Natyrisht në agjendën e këtyre vendeve Kosova jo vetëm nuk është prioritet, por së paku duhet të punohet për t’u futur në listë. Dhe një vendim “edhe kështu, edhe ashtu”, i cili do t’i lejojë mundësinë Beogradit ta interpretojë si fitore diplomatike të tij dhe në të njëjtën kohë edhe Prishtinës, vetëm sa shkon në dëm të Kosovës.
Kjo pasi nëse politikës serbe i duhet ende kjo çështje për konsum të brendshëm dhe për disa agjenda politike, shtetit të Kosovës i duhen njohjet për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Ky është qëllimi madhor,i cili do të mund të ndahej në dhjetëra qëllime të tjera, i duhen për të hequr qafe rezolutën 1244 dhe gjithë amullinë juridike të shkaktuar prej saj, i duhen njohjet për të pasur mundësinë për t’u anëtarësuar në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, të cilat mund të pranojnë në gjirin e tyre vetëm shtetet që kanë ulëset e tyre në OBK, i duhen për të marrë kodin e saj telefonik, swiftin bankar, për të filluar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, apo qytetarët e këtij vendi të mund të udhëtojnë në shtetet që dëshirojnë e t’i thonë fund izolimit madje edhe në disa shtete të rajonit.
Mirëpo, me përjashtim të disa shteteve të vogla dhe gati të padëgjuara më parë, njohje të tjera nuk kanë ardhur në adresë të Prishtinës. Problemi është i komplikuar, por kurrsesi nuk mund të përjashtojë angazhimin e pamjaftueshëm diplomatik të Kosovës. Justifikimet se janë shtet i ri dhe Ministria e Jashtme apo stafi diplomatik nuk mund të qëndrojnë, pasi Kosova ka së paku 20 vjet që është pjesë e një procesi diplomatik shumë specifik dhe të vështirë, gjë që do të thotë se do të duhej të ishin të përgatitur. Veçanërisht këtë mundësi e kanë pasur pas përfundimit të luftës, kur në vend që të ziheshin partitë ndërmjet tyre, për interesa të ngushta dhe personale, do të duhej të kishin shfrytëzuar shanset që i kanë pasur. P.sh., Shqipëria zyrtarisht, por më shumë në mënyrë miqësore i ka ofruar që të marrin një eksperiencë të tillë nëpër ambasadat e saj nëpër botë. Dhe janë jo pak, por rreth 50 të tilla në të gjitha kontinentet.
Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie mund të konsiderohet humbje. Prishtina vërtet ka dërguar diplomatët e saj në disa shtete, por mungesa e eksperiencës, njohjeve dhe lidhjeve i sjell ata shpesh në pozitën e të izoluarit. Sepse sado që gjërat duket se funksionojnë në mënyrë zyrtare, lidhjet personale apo lobingu është ai që ka vlerë më shumë. Kjo filozofi është perifrazuar në mënyrë realiste, por dhe cinike nga ish-presidenti amerikan Heri S.Truman: “Nëse do të bësh një shok në Uashington, blej një qen”. Dhe kjo fjali vlen edhe për shumë kryeqytete të tjera nëpër botë.
Ngritja e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare është bërë pikërisht në mënyrë të tillë, nëpërmjet lobingut, njohjeve, ngritjes së vetëdijes. Kështu që ky është një mësim që do të duhej ta kishin mësuar diplomatët e sotëm të Kosovës apo ato që janë në krye të vendit.
Ashtu sikurse duhet të kishin mësuar se propaganda pozitive që bëjnë në Kosovë sikur gjërat po ecin vaj dhe gjithmonë në favor të tyre, është thjesht mashtrim i vetvetes.
Suksesi i të ecurit “vaj” qëndron tjetërkund, e në radhë të parë tek angazhimi i njerëzve të rëndësishëm dhe me reputacion, miqve të Kosovës, të cilët dikuar kanë qenë të angazhuar në këtë çështje dhe me shumë dëshirë do të vazhdonin të kontribuonin. Më vjen në mendje në një intervistë që pata bërë para dy vjetësh me Uiliam Uoker, dëshpërimi dhe zhgënjimi i tij me qasjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme.
Një diplomati si ai, që kishte njohje dhe lidhje të shumta me pjesën me të madhe të vendeve të Amerikës Latine, as që i ishte kërkuar ndonjëherë angazhimi për njohjet nga këto vende.
E njëjta situatë është përsëritur në shumë raste, madje edhe në negociatat për statusin, ku përfaqësuesit e Prishtinës hartonin ligje e dokumente. PILPG, i cili udhëhiqet nga Poll Uiliams (emri i tij është shumë i njohur për ata që kanë qenë në Rambuje, pasi ai është një nga ekspertët kryesorë të dokumentit), as që i është kërkuar ndihma, e cila në fakt do t’u jepej falas. Në vend të kësaj, përfaqësuesit e komisioneve i fusnin bërryla njëri-tjetrit se kush të shkonte më parë në Vjenë për të vizituar kështjellat e bukura apo për të pirë verëra të shtrenjta.
Pra, një përkushtim i tillë ndaj diplomacisë krahasuar me nevojën për ta pasur atë në ofensivë, ashtu siç po bën Serbia me “pilotin” e saj të palodhshëm Jeremiqin, na bën të dyshojmë se fotografia pas vendimit apo opinionit që do të japë Gjykata e Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë e bukuar ose së paku e pranueshme.
(Autorja është analiste politike pranë gazetës ‘Kosova Sot’)


