Zhdrella: Golat ia dedikova djalit tim
Ekipi nga Drenasi ishte mysafir i skuadrës së Lirisë, klub ky i cili ishte duke avancuar në fillim të ndeshjes ndaj kampionit të edicionit të kaluar. Falë formës së mirë të treguar në këtë përballje të futbollistit Zhdrella dhe realizimit të dy golave të tij, Feronikeli iu gëzua fitores së tretë të arritur me rezultat 3:2.
Të dyja gola e shënuara Zhdrella ia ka dedikuar një personi të veçantë, saktësisht djalit të tij, Kaonit.
“ Kemi nisur mbarë kampionatin, ndërsa këtë fundjavë kemi arritur një fitore të rëndësishme. Dy golat e realizuara në atë ndeshje ia kam dedikuar djalit tim të vogël, Kaonit. Unë jam i lumtur që golat që shënova, qenë vendimtare për fitoren që arriti ekipi im”, ka thënë për KosovaLive, Zhdrella.
Përveç rezultati të arritur ndaj Lirisë, futbollisti i Feronikelit ka folur edhe për formën në të cilën po kalon aktualisht ekipi i tij.
“Do të mundohemi që këtë formë të mirë të nisur ta mbajmë për gjatë gjithë kampionatit. Momentalisht jemi duke arritur rezultate të mira e po ashtu jemi duke treguar lojë të bukura. Golat nuk janë edhe shumë të rëndësishme, kryesorja është që ekipi të funksionojë mirë dhe të kemi një formë stabile. Nëse mundohemi maksimalisht, padyshim se rezultatet e mira nuk do të na mungojnë”, ka pohuar “Messi” i Kosovës.
Mentor Zhdrella këtë edicion iu është bashkuar ekipit të Feronikelit, ndërsa me këtë skuadër synon të fitojë sa më shumë trofe.


