Zgjedhjet – mundësia e humbur
(Analizë me shkas)
Zgjedhjet janë zemra e demokracisë. Përkundër faktit se ato edhe mund të mos jenë në vetvete kusht i mjaftueshëm për përfaqësimin politik, por pa dyshim që ato janë një kusht i nevojshëm. Madje, zgjedhjet janë organizuar edhe në sisteme autoritare dhe, edhe pa qenë konkurruese, ato kanë shërbyer si dhënie e legjitimitetit dhe justifikim për atë sistem sundimi. Pra, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme.
Kosova, për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, në nëntor 2009, i organizoi zgjedhjet lokale. E veçanta e këtyre zgjedhjeve nuk ishte vetëm se ato ishin të parat zgjedhje pas shpalljes së pavarësisë, por edhe se për herë të parë ato u organizuan nga institucionet vendore.
Sot, me shumë se dy muaj nga raundi i parë i zgjedhjeve (tani pritet të mbahet raundi i tretë ...), ende nuk e kuptuam nëse e dhamë testin apo jo! Konkretisht, këto zgjedhje, a ishin “rrugë dydrejtimëshe” të cilat i japin edhe qeverisë edhe popullit rastin e madh që të ndikojnë mbi njëri tjetrin?!
A gabuam?
Nga prizmi i një të riu optimist, i cili jeton në Kosovë dhe që fatkeqësisht nuk mund të udhëtoj më larg se tek shtetet fqinje, përgjigja do të ishte: PO. Pse? Sepse, rezultatet e zgjedhjeve, me disa ankesa të dy apo tri subjekteve, u pranuan nga të gjitha subjektet që garuan në këto zgjedhje. Institucionet që i organizuan dhe i qeverisën këto zgjedhje e kryen punën e tyre në nivelin më të lartë, madje kryesuesja e KQZ-së, për të treguar paanësinë e saj të plotë, në shumicën e rasteve, kur edhe duhej të merreshin vendime kruciale për këtë proces, e shfrytëzonte të drejtën e saj ligjore për abstenim. Po ashtu, pati pak manipulime, por pikërisht për këtë arsye, dy komuna po shkojnë në raundin e tretë të zgjedhjeve, gjë e cila nuk ndodh as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njihen edhe si shteti me demokracinë më të zhvilluar në botë.
Fatkeqësisht, kjo përgjigje është shumë subjektive, për një fakt shumë të rëndësishëm, sepse epet nga një i ri i cili ka dëgjuar se vlerësimi pozitiv i këtyre zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për shtetin e tij, e dëshira e të cilit është që edhe për vendin e tij të liberalizohen vizat, që edhe ai, sikur edhe të gjithë bashkëmoshatarët e tij fqinj, të ketë të drejtë të udhëtoj nëpër Europë, pa pasur nevojë që paraprakisht të nxjerrë një grumbull dokumentesh dhe t’i bashkohet radhëve të gjata të pritjes para ambasadave për një vizë.
Ku gabuam?
E para, këto zgjedhje ishin “rrugë njëdrejtimëshe” sepse populli, përkundër që e pati rastin të ndikojë mbi qeverisjen, edhe nëse e bëri një gjë të tillë, vendimi i tij në shumicën e rasteve u manipulua dhe qeverisja lokale ‘e mori’ legjitimitetin e dëshiruar për të jutsifikuar edhe më tutje qeverisjen e saj të keqe.
E dyta, vërtetë që rezultatet e këtyre zgjedhjeve përgjithësisht u pranuan sepse shumica e subjekteve interesin e Kosovës e vendosën në rend të parë, por tashmë është sekret publik se ankesat sikur nuk u trajtuan në mënyrë të pavarur dhe të barabartë nga institucionet përkatëse (për ankesa të ngjashme u dhanë vendime të ndryshme).
E treta, institucioni kryesor që i ka organizuar këto zgjedhje nuk po e kryen punën e vet si duhet. Sigurisht se është e drejtë ligjore e kryesueses së KQZ-së që në votim të abstenoj (sikur që është e drejtë kushtetuese e Presidentit që të emërojë anëtarët e Gjykatës Supreme), por kjo tregon mungesë përgjegjësie prej lidereje dhe mungesë guximi për të vendosur. Vota e saj (abstenimi) po e mban rezultatin e zgjedhjeve në komunën e Gjilanit të pa definuar qartë.
Dhe, e fundit, mbajtja e raundit të tretë të zgjedhjeve në dy komuna nuk është zhvillim i demokracisë, përveç që është edhe një maltretim i votuesve të ndërgjegjshëm të atyre komunave. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në ShBA, fituesi i zgjedhjeve u vendos vetëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë të ShBA-ve, meqë në shtetin e Floridës, i cili ishte përcaktues për fituesin e atyre zgjedhjeve (për shkak të numrit të elektorëve që ka ky shtet në ShBA), rezultati i zgjedhjeve ishte shumë i ngushtë, dhe pas numërimit dhe rinumërimit të fletëvotimeve, çështja iu drejtua Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë vendosi që President i SHBA-ve të jetë Xhorxh W. Bush, përkundër faktit se kishte mbi gjysmë milioni vota (në nivel federal të ShBA-ve) më pak se kandidati tjetër Al Gore, por që me vetëm disa dhjetëra vota më shumë që fitoi në Florida, dhe në fund, më vendimin e Gjykatës në favor të tij, Bush mori numrin e mjaftueshëm të elektorëve për të qenë President i ShBA-ve. Pra, edhe pse votat e kontestueshme të Floridës vendosën për Presidentin e shtetit më demokratik në botë, institucioni i cili i organizoi ato zgjedhje nuk e qoi Floridën në një rivotim të dytë, ndërsa kandidati i cili i humbi zgjedhjet i pranoi ato duke thënë: “tani Gjykata e Lartë e ShBA-ve foli. Unë më gjithë qenien time nuk pajtohem me të, por nuk do të këtë asnjë dyshim se unë e pranoj vendimin e saj”.
Raundi i tretë i zgjedhjeve në dy komunat, atë të Prizrenit dhe të Lipjanit do të mbahet, njëra nga dy partitë e mëdha në koalicionin qeverisës (PDK apo LDK) ‘do të fitojë’! Por, më këtë, Kosova e humbi rastin që të dëshmoj se nuk e meriton të trajtohet sikur fëmija bonjak nga Bashkësia Ndërkombëtare. Ndërsa, i riu kosovar do të vazhdojë të pres në radhët e gjata para ambasadave për një vizë shpëtimi për të ikur nga ky vend.


