Zgjedhjet lokale në 5 bashki, të rinjtë “braktisin” kutitë e votimit. Mbyllet procesi i numërimit, fiton PS
Është mbyllur procesi i numërimit të votave në 5 bashkitë që një ditë më parë shkuan në zgjedhje të pjesshme për kryetarë të rinj në krye, me një pjesëmarrje totale prej 18.51%.
Kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini do të drejtojë Bashkinë e Vlorës në dy vitet e ardhshme, deri në zgjedhjet e 2027. Në përfundim të numërimit të 231 kutive të votimit, Mersini, e cila për pak javë mbajti edhe mandatin e deputetes, ka rezultuar fituese me më shumë se 13 mijë vota ndaj rivalit të saj të pavarur, por të mbështetur nga opozita, Dionis Sota.
Bashkia e Beratit ka përfunduar procesin e numërimit të votave, pas zgjedhjeve të mbajtura një ditë më parë. Kandidati i Partisë Socialiste, Ervin Ceca, është shpallur fitues me mbi 83% të votave, duke lënë pas rivalin e tij, kandidatin e pavarur, Pavlo Shkarpa.
Gramos Sako nga Partia Socialiste do të drejtojë Bashkinë e Tepelenës pasi ka fituar në garën 77.85% të votave, ndërsa i vetmi rival përball tij ishte Gabriel Guma, kandidat i pavarur. Kandidati socialist mori 3261 vota dhe Gabriel Guma mori 928 vota (22.15%).
Bashkia e Matit me numrin më të lartë të votuesve do të drejtohet nga kandidati i Partisë Socialiste, Altin Bojni, ka fituar me mbi 66% të votave, duke lënë pas kandidatët e pavarur Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha.
Kandidati i Partisë Socialiste, Florenc Doka, ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Cërrikut. Ai ka lënë pas me një diferencë të thellë votash, kandidatin e pavarur Amarildo Hoxha, teksa ky i fundit ka marrë edhe më shumë vota se kandidati i partisë “Shqipëria Bëhet”.
334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë patën të drejtën e votës dhe shprehjes së vullnetit të tyre të lirë, ndërsa qendrat e votimit u hapën në ora 07:00, edhe pse në disa prej tyre pati vonesa.
Referuar përcaktimit në kodin zgjedhor, kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.
Në Vlorë numri i qytetarëve që mund të votonin në 232 qendra votimi ishte 171.895. Në Tepelenë me të drejtë vote ishin 12.667 qytetarë, në 22 qendra votimi.
Në Mat ishin 29.092 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa qendrat ku mund të votonin ishin 47. Në Cërrik ishin 57 qendra votimi, dhe numri i zgjedhësve ishte 38.724.
Në bashkinë e Beratit të drejtën e votës e kishin 82. 161 zgjedhës, të cilët mund të votonin në 116 qendra votimi.
Ndërkohë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në daljen për mediat tha se grupmosha që ka marrë pjesë më shumë në këto votime janë ata mbi 65 vjeç, ndërsa vihet re një ‘braktisje’ e kutive të votimit nga të rinjtë.
Ndërkohë qarku i Vlorës rezulton ai me numrin më të ulët të votuesve në krahasim me 4 bashkitë e tjera, me afro 13%. Ndërkohë pjesëmarrje më të lartë ka pasur Mati, me afro 40%. /Tch/


