Zgjedhje apo imponim…
Ndasia territoriale e elektoratit për të përkrahur një subjekt “anas” , u dëshmua edhe këtë herë, siç u dëshmua edhe vjedhja e votës nga më të zotët e kësaj pune, siç u demonstrua edhe njëherë gënjeshtra e politikës, nga më të pagënjyerit.
Me gjithë synimit që të jemi demokratik dhe evropian në organizimin e zgjedhjeve, për herë të parë në Kosovë,nga kosovarët, a mund të quhen legjitime institucionet e themeluara dhe ngarkuara për këtë punë dhe procesi që ata udhëhoqën. Në emër të kujt, duhet vuloset e drejta qytetare? Nën emrin e një imazhi të mirë, karshi ndërkombëtarëve, apo të dallavereve politike, që po përplasë sa në një kënd e sa në tjetrin, rrugëtimin tonë si shtet.
Festimet e hershme për fitoren e pretenduar nga partitë politike, e kryesuar nga ajo “më e madhja” në vend PDK, ngjalli akoma më shumë dyshimet, për skeptikët, njëri nga ta edhe unë, se për këto zgjedhje duhet të prisje konfirmimin e një institucioni përgjegjës siç ishte KQZ-ja dhe kjo e fundit, duhet të përfundonte mesa uket edhe konsultimet politike, përpara se t’i mbetej hatri dikujt.
Duhej të prisnin për numërimin e votave nga vëzhguesit e “pavarur” dhe ata politik që ishin vendosur karshi çdo kutie votimi. Duhej të respektonin një detyrë të pranuar nga vetë ata se do të ishin korrekt në vëzhgimin dhe numërimin e secilës fletë votimi. Asnjëra nga këto nuk ndodhi.
Ndjesia që këto zgjedhje ishin sukses, u shua sapo u informuam se parregullsitë, dallaveret, hajnit e kërcënimet ishin kudo, pothuajse në çdo qendër, që nuk ishte Prishtina. Kjo e fundit kush e di për fatin e kujt, nuk u përmend shumë për ndonjë të keqe, madje as pas ditës së 15 nëntorit.
Duke qenë se votova që në orët e para të mëngjesit, kisha kohë tërë ditën e lume, me e përcjellë secilin debat të mundshëm, konferencë politike apo deklaratat e qytetarëve. Nuk munguan as këtu animet politike, nuk munguan as këtu gënjeshtrat politike, siç nuk mungojë as në mbrëmje festimi politik nga subjektet tona, të cilat kush më shumë e kush më pak kishin dalë fitimtarë në këto zgjedhje. Fitorja e tyre ishte se ato po vazhdonin të ishin pjesë e strukturave udhëheqëse dhe vendimmarrëse.
Fitorja e Isa Mustafës për Prishtinën dhe ajo e Partisë Demokratike për “20” komunat, bëhej në qendër të qytetit, këta dy kundërshtarë kishin zgjedhë dy anë të një sheshi për të celebruar suksesin e tyre. Ato festonin, por dallonte dollia, dallonte cakërrimi …
Ishte veçse një natë, për të pasuar me 170 ankesa në një institucion të themeluar për këtë qëllim, për të pasuar me një vonesë të vazhdueshme nga një institucion që vëzhgonte këto zgjedhje dhe mjegullën e qytetarëve se kush po e udhëheqë komunën e tij.
Proklamimet morën hovë, duke zëvendësuar reklamat politike, që veçmas ditëve të fundit të fushatës ishin bërë të padurueshme. Proklamonte, ai, ajo, ata dhe ato, por duke pas njëri subjekt politik kontroll më të madh në media, sigurisht që dominonte për favorizimin e politikës dhe suksesit të tyre. Në çdo gazetë ditore, përjashtuar një ose maksimum dy të përditshme, në çdo televizion, përjashtuar asnjë të vetëm, dëgjoheshin zyrtarët e partisë “së madhe”, duke u mbështetur në emrin ë një demokracie, se kishin fituar, se kishin marrë mbështetjen e njerëzve, edhe pse në këto 170 ankesa në KZAP-it, domosdoshmërisht mbi 70 për qind kishin qenë në drejtim të tyre.
Ajo se çka thuhet dhe çka realizohet në të vërtetë karshi detyrimeve në qytetarin, nuk ka mbetur preokupim i politikës tonë. Terrorizimi i qytetarëve nuk ishte vetëm manipulimi i votës, në këto zgjedhje. Terror qytetarët kanë parë edhe më herët. Në çdo raport të mundshëm nga ndërkombëtarët, në kontrollin e mediave dhe fjalës së lirë nga qytetarët, në ndëshkimet që kanë marrë individët dhe bizneset që nuk kanë përqafuar dhe ndihmuar pushtetin.
Ndasia territoriale e elektoratit për të përkrahur një subjekt “anas” , u dëshmua edhe këtë herë, sic u dëshmua edhe vjedhja e votës nga më të zotët e kësaj pune, siç u demonstrua edhe njëherë gënjeshtra e politikës, nga më të pagënjyerit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pësoi në elektoratin e saj. Nisma e vonshme për reformim nga ana e këtij subjekti politik i tregoi edhe pasojat e veta, veçmas në zgjedhjet e kaluara. Një histori tjetër i takon “Kryesuesit” të politikës në Kosovë, PDK-së. Kjo e fundit mbase shtoi premtime dhe elektorat, mbase menaxhoi edhe buxhetin shtetëror në fushatë partiake, por harroi qëllimisht të pranojë edhe forcën e ushtruar, sidomos te kutit e votimit, për të shtuar numër dhe sukses përpara qytetarëve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u vetëvlerësua më fatlumja e këtyre zgjedhjeve dhe më këmbëngulësja për një qytet të vetëm, siç ishte Gjakova. Madje këtij subjekti politik nuk po i pengojnë as fotografimet dhe incizimet e fshehta, për ta festuar fitoren në këtë pjesë. Viktimizimi këtë herë i takoi AKR-se dhe LDD-së. Për këta të fundit ishin akoma nuk po gjendet fajtori. Ishte vetë koalicioni, mungesa e fatit, humbja e masës, apo mungesa e dallavereve.


