Zgjatet orari për lejimin e muzikës në lokalet e gastronomisë në Gjilan
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për zgjatjen e orarit të lejimit të përdorimit të mjeteve elektroakustike nga bizneset e sektorit të gastronomisë gjatë sezonit veror.
Sipas vendimit, lokaleve të gastronomisë u lejohet përdorimi i mjeteve elektroakustike në përputhje me standardet ligjore dhe normat e lejuara të zhurmës deri në orën 23:00 gjatë ditëve të punës, ndërsa të premten dhe të shtunën deri në orën 24:00.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se ky vendim do të jetë në fuqi deri më 20 gusht 2026.
Po ashtu, me këtë vendim pezullohet përkohësisht, deri në të njëjtën datë, urdhëresa nr. 312/22 e datës 21 prill 2022 e kryetarit të Komunës së Gjilanit për mbrojtjen nga zhurma.
Sipas njoftimit, zbatimi i vendimit do të monitorohet nga Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga kryetari i Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


