Zbulohet një parcelë me rreth 300 bimë narkotike në fshatin Guri i Zi, ruhej nga një person i armatosur
Policia e Shtetit në Dibër ka zbuluar një parcelë me rreth 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis në një zonë të pyllëzuar të fshatit Guri i Zi.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se bimët dyshohet se ishin kultivuar dhe ruheshin nga një shtetas i armatosur.
“Si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve policore, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. M., 43 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë operacionit është sekuestruar edhe një armë zjarri tip pushkë me 6 fishekë, e cila dyshohet se përdorej për ruajtjen e parcelës. Një pjesë e bimëve janë sekuestruar si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar në vend”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç bëhet e ditur se në lidhje me rastin, policia ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedim penal edhe për shtetasin H. Sh., me detyrë kryetar i fshatit Guri i Zi, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”. /Telegrafi/


