Please enter at least 3 characters.

Zbarkon në Barcelonë transferimi i madh i janarit - të martën prezantohet

Joao Cancelo është gati të bëhet sërish lojtar i Barcelonës. Klubi katalanas ka konfirmuar të hënën rikthimin e mbrojtësit portugez, i cili vjen në formë huazimi nga Al Hilal.

Në njoftimin e publikuar nga Barcelona bëhet e ditur se Cancelo ka mbërritur në qytet të hënën rreth mesditës, ndërsa pasdite ka kryer me sukses kontrollet mjekësore dhe fizike në Spitalin e Barcelonës.

Formalizimi i marrëveshjes pritet të bëhet këtë të martë, kur ai do të firmosë kontratën që do ta bëjë sërish zyrtarisht lojtar të Barcelonës.


Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të martën në ora 13:00, në zyrën e presidentit të klubit Joan Laporta, ndërsa nga ora 13:30 Cancelo do të dalë para mediave të akredituara për konferencën e parë si lojtar i ri i Barçës.

Ky është rikthim për Cancelon, i cili edhe më parë ka qenë pjesë e Barcelonës, duke lënë përshtypje pozitive me paraqitjet e tij falë fleksibilitetit, kreativitetit dhe aftësisë për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes.

Mbrojtësi portugez ka ndërtuar një karrierë të pasur në klubet më të mëdha evropiane, duke luajtur për Interin, Juventusin dhe Manchester Cityn, ku fitoi disa trofe dhe u vlerësua si një nga mbrojtësit ofensivë më të mirë në Evropë.


Pas aventurës në Arabinë Saudite me Al Hilal, Cancelo vendos të rikthehet në futbollin evropian përmes Barcelonës. /Telegrafi/