Zbardhet skema e floririt të vjedhur nga Greqia në Shqipëri, hetime nga Fieri në Tiranë
Zbardhet skema e kontrabandës së floririt të vjedhur në Fier. Operacioni “Stolen Gold” vazhdon, prokuroria heton disa subjekte në Tiranë, pritet sekuestrim ari dhe objektesh antike.
Prokuroria e Fierit po heton përfshirjen në aktivitetin e shitjes së floririt të vjedhur dhe sendeve të tjera me vlerë të disa subjekteve argjendarie në Tiranë. Këto të fundit dyshohet se janë pjesë e një skeme të paligjshme që fillonte me vjedhjen e arit, argjendit, orave dhe objektesh antike në Greqi dhe shtete të tjera të rajonit, e më pas tregtoheshin në argjendari.
Objekt hetimi nga ana e prokurorisë është edhe zbardhja e praktikës së vjedhjes së arit. Mbetet ende e paqartë se si dhe kujt i vidheshin sendet me vlerë, por policia e Fierit ka tashmë pas hekurave dy shtetas të dyshuar si autorë të vjedhjeve. Këta të fundit dyshohet se, përveç vjedhjeve që kryenin vetë, mblidhnin flori të vjedhur edhe nga shtetas të tjerë me çmim të lirë, për ta shitur më pas me çmimin e tregut nëpër argjendari.
Skema për të cilën blutë e Fierit kanë nisur hetimin afërsisht dy vjet më parë, është e sofistikuar dhe, përveç tregtarëve të “floririt” të përfshirë, duket se janë edhe disa koleksionistë. Burime nga prokuroria thanë për ABC News se objektet antike u shiteshin koleksionistëve nga argjendarët, duke u mbajtur të fshehura në depot e dyqaneve të floririt. Objektet antike përfshijnë kryesisht vazo qeramike, edhe këto të vjedhura ose të shitura në tregun e zi të rajonit.
Të shtunën policia e Fierit arrestoi një shtetas dhe shpalli në kërkim Blerim Agalliu, si autor të dyshuar të vjedhjeve të sendeve me vlerë, ndërsa u proceduan 7 tregtarë floriri. Me hetimin që po shtrihet në Tiranë, priten procedime të tjera, ndërsa malli i vjedhur që pritet të sekuestrohet dyshohet të jetë në sasi të mëdha. /Abcnews.al/


