Please enter at least 3 characters.

“Zâni i Lirisë” nga MOLOS shpallet fitues i konkursit për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”

“Zâni i Lirisë” nga MOLOS shpallet fitues i konkursit për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”

Projekti “Zâni i Lirisë”, i realizuar nga MOLOS, është përzgjedhur fitues i konkursit për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”, një projekt i dedikuar përjetësimit të sakrificës së familjes Jashari dhe kontributit të saj historik për lirinë e Kosovës.

MOLOS është një studio kreative nga Prishtina, i cili prej më shumë se dy dekadash vepron në fushën e artit, arkitekturës, animacionit dhe dizajnit. Studioja, e themeluar në Kosovë në vitin 2002, njihet për qasjen e saj ndërdisiplinore, duke bashkuar arkitekturën, identitetin vizual, hapësirën publike, filmin, animacionin dhe dizajnin në projekte me karakter artistik e funksional.

Në projektin “Zâni i Lirisë”, MOLOS e ka vendosur në qendër zërin si metaforë të kujtesës, trashëgimisë dhe vazhdimësisë historike. Koncepti frymëzohet nga fjalët e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë.”

Sipas konceptit të prezantuar, memoriali nuk trajtohet vetëm si objekt përkujtimor, por si një përvojë hapësinore dhe emocionale.

Zëri shndërrohet në formë fizike përmes valëve zanore, të cilat përkthehen në elemente arkitektonike, ritmike dhe skulpturore. Këto elemente krijojnë një gjurmë të zërit në hapësirë, duke e bërë kujtesën të prekshme për vizitorët.



Memoriali është paraparë të shtrihet përgjatë rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë, duke krijuar një bosht simbolik në strukturën urbane të qytetit.

Përmes kësaj shtrirjeje, projekti synon të lidhë hapësirën publike me historinë, qytetarin me kujtesën dhe brezat e rinj me sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria.

Një nga elementet kryesore të projektit është përdorimi i ujit, i cili përfaqëson rrjedhën e jetës, kujtesën dhe vazhdimësinë. Uji ndërthuret me strukturat metalike, pemët, hapësirat e gjelbra dhe elementet reflektuese, duke krijuar një ambient që fton në qetësi, përulje dhe reflektim.

Projekti parasheh edhe elemente interaktive dhe digjitale, përmes të cilave vizitorët mund të njihen më afër me historinë e familjes Jashari, kontekstin e sakrificës së tyre dhe dokumentimin historik. Në këtë mënyrë, “Zâni i Lirisë” synon të jetë jo vetëm memorial përkujtimor, por edhe hapësirë edukimi, përjetimi dhe ndërgjegjësimi publik.

Në prezantimin e projektit, MOLOS e përshkruan këtë vepër si një përpjekje për ta përjetësuar zërin e lirisë dhe për t’i dhënë atij një formë që mund të preket, të përjetohet dhe të bartet te brezat që vijnë.

“Zâni i Lirisë” materializon kujtesën për një sakrificë që solli lirinë.

Përmes arkitekturës, tingullit, ujit dhe hapësirës publike, projekti synon që kontributi i familjes Jashari të vazhdojë të jetojë në kohë, në hapësirë dhe në ndërgjegjen kolektive të njerëzve./Telegrafi.