Ylli i Arsenalit në shënjestrën e Arabisë Saudite – ofertë marramendëse në tavolinë, Arteta duhet të vendos
Sipas gazetarit Ben Jacobs, skuadra nga Liga Profesionale Saudite, Al-Nassr, është e gatshme të paraqesë një ofertë prej rreth 85 milionë euro për sulmuesin e Arsenalit, Gabriel Martinelli.
Edhe pse klubi londinez nuk ka ndërmend të shesë sulmuesin brazilian gjatë këtij afati kalimtar, një ofertë e kësaj peshe financiare mund ta shtyjë Arsenalin të rishqyrtojë qëndrimin e tij.
Shitja e mundshme e Martinellit do të krijonte hapësirë për investime të reja. Mediat britanike raportojnë se Rodrygo i Real Madridit dhe Anthony Gordon i Newcastle United janë ndër emrat që Arsenal po monitoron si zëvendësues të mundshëm në rast largimi.
Martinelli ishte një nga lojtarët më aktivë të Arsenalit në sezonin e fundit, duke regjistruar 51 paraqitje, 10 gola dhe 5 asiste në të gjitha garat.
Në pritje të zhvillimeve, mbetet të shihet nëse klubi londinez do të tundohet nga oferta e madhe e Al-Nassr, apo do të mbajë njërin prej lojtarëve më eksplozivë të repartit ofensiv. /Telegrafi/


