Please enter at least 3 characters.

Xhevat Muça: I vetmi investim që garanton kthim, është ai në sektorin e energjisë së rinovueshme

Xhevat Muça, pronari i Muça Solar, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo, me të cilin kemi diskutuar për biznesin e tij, sektorin energjetik dhe energjinë ripërtëritëse.

Ai tregoi se zyra kryesore e Muça Solar është në Suharekë, si dhe mënyrën se si i zhvillon punëtorët e tij. Muça gjithashtu tha se u ofron mundësi të ndryshme studentëve.



"Punëtorët tanë e marrin zanatin një vit para se të punësohen. Këtë model e kam marrë në Zvicër. Gjithashtu u ofrojmë mundësi studentëve për punë praktike. Gjatë kohës që ata bëjnë praktikë e zgjedhin një projekt dhe mund ta përgatisin temën e diplomës dhe me atë diplomojnë. Në momentin që studentët diplomon me një projekt të tillë ne kërkojmë që ai student të bëjë një kopje më shumë, dhe të projekt ua dërgojmë kompanive ku studentët aplikojnë për punë", tha Muça.

Ai theksoi si e ka nisur Muça Solar dhe vështirësitë që ka pasur në fillim.

"Për dallim me vitin 2008 kur qytetarët nuk e dinin se çfarë janë. E mbaj mend në një panair në vitin 2008 qytetarët na pyesnin se çfarë janë këto bojlerë. Kjo ka zgjatur deri në vitin 2016, ndërsa në vitin 2016 jemi shpallur shitësit më të mirë në Austri, në mes 42 shteteve. Aty është bërë një kthesë e madhe në sektorin e energjisë ripërtëritëse. Përveç personave fizik, tani e kanë kuptuar edhe bizneset. I vetmi investim që garanton kthimin e investimit, është sektori i energjisë së ripërtritshme", tha Muça.

E pyetëm për mënyrat se si sektori i energjetik të zhvillohet edhe në Maqedoni, ai tha se duhet të fillohet prej poshtë e lartë.

"Mirë do të ishte të filloni prej shkollave teknike. Duhet të ketë bazë. Nuk mund të nisim prej lart e poshtë, por prej poshtë e lartë. Pra prej shkollave deri në universitet. Kam pasur në vizitë disa herë profesorët të shkollave teknike nga Tetova, dhe kam qenë në Tetovë disa herë para shtetë-tetë viteve dhe kemi menduar atëherë të zhvillohem edhe në Maqedoni. Por për shkak të ligjeve nuk arritëm ta bëjmë këtë gjë", tha Muça.

Ndërsa sa i përket të ardhmes së paneleve solare, ai tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të detyrojë bizneset dhe personat të investojnë në panelet solare.

"Derisa kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike, është e patjetërsueshme me investuar në sistemin fotovoltaik, si dhe për disa biznese e papërballueshme çmimi i energjisë elektrike. Janë marrë hapa të shpejt sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Bizneset janë vendosur para aktit të kryer me rritjen e çmimit të energjisë elektrike", tha Muça./Telegrafi/