Xabi Alonso pranë rikthimit në Angli, por jo te Liverpooli
Xabi Alonso është gjithnjë e më afër rikthimit në karrierën e tij si trajner, ndërsa mediat angleze raportojnë se londinezët e Chelsea po e konsiderojnë seriozisht si kandidatin kryesor për stolin e skuadrës.
Sipas raportimeve, kontaktet e para serioze mes palëve tashmë kanë ndodhur dhe janë vlerësuar shumë pozitive.
Të dyja palët thuhet se kanë mbetur të kënaqura me vizionin dhe projektin e prezantuar gjatë bisedimeve.
Chelsea po kërkon një ndryshim të madh pas një tjetër sezoni zhgënjyes, ku pati lëvizje të shumta në stol dhe rezultatet nuk i përmbushën pritjet e klubit.
Aktualisht, londinezët po luftojnë për një vend që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, larg objektivave që kishin në fillim të sezonit.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit synojnë një projekt afatgjatë dhe të qëndrueshëm në Stamford Bridge, ndërsa Xabi Alonso po shihet gjithnjë e më shumë si figura ideale për ta udhëhequr epokën e re të Chelseat. /Telegrafi/


