Please enter at least 3 characters.

Wi-Fi 8 nuk është më i shpejtë, por do të jetë më i zgjuar dhe më i qëndrueshëm

Po afrohet gjenerata e re e rrjeteve pa tela – Wi-Fi 8, i cili nuk do të sjellë domosdoshmërisht shpejtësi më të larta, por do të fokusohet në përmirësimin e stabilitetit, besueshmërisë dhe reagimit të lidhjes.

Ndryshe nga gjeneratat e mëparshme të Wi-Fi, të cilat kishin si prioritet kryesor rritjen e shpejtësisë së internetit, standardi i ri Wi-Fi 8 (802.11bn) do të synojë të funksionojë më mirë në situata të vështira – si rrjetet e mbingarkuara, zonat me sinjal të dobët dhe ambientet ku janë të lidhura shumë pajisje njëkohësisht.

Sipas të dhënave paraprake, Wi-Fi 8 pritet të sjellë:

deri në 25 për qind më shumë kapacitet transmetimi në kushte të vështira;

deri në 25 për qind vonesë më të ulët (latencë) gjatë përdorimit real;

deri në 25 për qind më pak humbje të paketave të të dhënave, veçanërisht kur pajisjet kalojnë nga një pikë qazsje në një tjetër.

Kjo do të thotë se përdoruesit mund të kenë lidhje më të qëndrueshme gjatë përdorimit të telefonave inteligjentë, pajisjeve të shtëpisë së mençur (IoT), realitetit virtual (VR/AR), lojërave online dhe sistemeve industriale që kërkojnë komunikim të pandërprerë.

Wi-Fi 8 do të vazhdojë të përdorë brezat ekzistues të frekuencave 2.4 GHz, 5 GHz dhe 6 GHz, por do të sjellë teknika më të avancuara si koordinimi më i mirë i pikave të qasjes, menaxhim më inteligjent i kanaleve dhe drejtim më efikas i sinjalit.

Një nga ndryshimet kryesore është se fokusi nuk do të jetë vetëm te numrat e shpejtësisë, por te përvoja reale e përdoruesit: më pak ndërprerje, sinjal më i fortë në distancë dhe performancë më e mirë kur shumë pajisje janë të lidhura në të njëjtin rrjet.

Pajisjet e para që mbështesin Wi-Fi 8 pritet të shfaqen rreth fundit të vitit 2027 ose fillimit të vitit 2028, ndërsa miratimi zyrtar i standardit pritet më vonë, pasi procesi i certifikimit është ende në zhvillim.

Pra, Wi-Fi 8 nuk premton një revolucion vetëm në shpejtësi, por një internet pa tela më të qëndrueshëm, më të besueshëm dhe më të përshtatur për botën ku dhjetëra pajisje janë të lidhura njëkohësisht. /Telegrafi/