Vuçiqi nuk zbrapset për lumin Ibër, sulmon ashpër BE-në dhe Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk po heq dorë nga retorika për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, pavarësisht reagimeve të ashpra nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.
Pas kritikave të Brukselit për deklaratat e tij, Vuçiq ka zgjedhur të mos tërhiqet, por të ashpërsojë edhe më tej gjuhën ndaj Bashkimit Evropian, duke e akuzuar atë se po mbron institucionet e Kosovës.
Në një paraqitje në Arilje, presidenti serb sulmoi drejtpërdrejt Brukselin, duke përdorur një gjuhë tejet konfrontuese.
“Por ata reaguan menjëherë ndaj kësaj, për të mbrojtur ‘shërbëtorët e tyre shqiptarë’ dhe për t’u thënë edhe një herë: vazhdoni të kryeni krime”, deklaroi Vuçiq.
Deklarata e tij erdhi pasi Komisioni Evropian reagoi ndaj pretendimeve për një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së Ibrit, duke bërë të qartë se deklaratat e tilla nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, theksoi se çështjet ndërmjet palëve duhet të trajtohen përmes dialogut.
Por reagimi i Vuçiqit ishte një tjetër sulm ndaj Brukselit.
Në vend që të zbrapsej nga deklaratat për lumin Ibër, ai e zhvendosi debatin te akuzat ndaj Kosovës dhe BE-së, duke pretenduar se serbët në Kosovë arrestohen, keqtrajtohen dhe përballen me “persekutim të përditshëm”.
Për këto pretendime, presidenti serb nuk paraqiti prova konkrete gjatë paraqitjes së tij.
Vuçiq sulmoi gjithashtu Bashkimin Evropian për mënyrën se si po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi, duke pretenduar se Brukseli nuk ka reaguar ndaj asaj që ai e cilëson si moszbatim të marrëveshjeve nga Prishtina.
Ai përmendi në veçanti Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“A e keni fjalën për dialogun që nënshkruat edhe për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, a e keni fjalën për atë dialog?”, deklaroi Vuçiq.
Më pas, ai vuri në pikëpyetje edhe rolin e vetë Bashkimit Evropian në procesin e normalizimit.
“Thjesht mos u shtirni se jeni këtu për ndonjë lloj dialogu apo diçka të tillë, sepse nuk jeni për dialog”, tha presidenti serb.
Ai drejtoi kritika edhe ndaj KFOR-it, duke folur për një bisedë ndërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq, dhe komandantit të KFOR-it, Özkan Ulutaş.
Vuçiq tha se kjo ishte “ndoshta biseda më e keqe” ndërmjet tyre deri atëherë, ndërsa përdori edhe këtë rast për të sulmuar qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Për deklaratat e tij kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të SHBA-së, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e domosdoshme e këtij procesi.
Edhe Gjermania i është përgjigjur deklaratave të Vuçiqit.
Ambasada gjermane në Kosovë deklaroi se ndryshimi i rrjedhës së lumit Ibër nuk i shërben objektivit të normalizimit të marrëdhënieve dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin në dialog.
Në vend të qetësimit të situatës pas reagimit ndërkombëtar, Vuçiq ka zgjedhur përshkallëzimin e retorikës, duke këmbëngulur në çështjen e Ibrit dhe duke e kthyer përgjigjen e BE-së në një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Brukselit./Telegrafi.


