Vuçiq kishte folur për rastin "Panda" në Pejë - pse prokuroria në Beograd nuk po e merr në pyetje presidentin serb
Prokuroria për krim të organizuar (JTOK) bëri të ditur sot se nuk janë ndërprerë hetimet për vrasjen e gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë, edhe pse, siç thanë, në dy vitet e fundit nuk është marrë dëshmi e re dhe nuk janë ndërmarrë masa provuese.
Duke u përgjigjur pyetjeve të mediave rreth ngadalësimit të hetimeve, JTOK njoftoi se që nga 12 maji 2016, kur filluan hetimet, janë intervistuar 39 dëshmitarë, por gjatë dy viteve të fundit nuk është intervistuar asnjë dëshmitar i ri.
Për pyetjen pse nuk është intervistuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas disa deklaratave se “di se çfarë ka ndodhur në ‘Panda’” dhe se “kjo vrasje nuk është kryer nga shqiptarët”, Prokuroria tha se “nuk është marrë ende vendim për intervistimin e dëshmitarëve të rinj”, raporton nova.rs.
“Për dëshmitarët që duhet të ndërrojnë në këtë hetim, mes tyre edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe kur duhet të bëhen këto masa provuese, do të vendosë TOK (Tužilaštvo za organizovani kriminal) sipas një vlerësimi objektiv të gjendjes së faktuar deri tani dhe do të bëjë vlerësimin kur këto masa provuese janë më të dobishme për zbardhjen e fakteve”, njoftoi prokuroria.
Avokati që përfaqëson familjet e dëmtuara, Ivan Niniq, deklaroi se prokurori që nuk e fton Vuçiqin të dëshmojë për më shumë se dhjetë vjet nuk është i denjë për funksionin e prokurorit dhe se ai bën pjesë në pengimin dhe ndërprerjen e procesit të drejtësisë.
"Nëse merret parasysh fakti që në fund të këtij viti bëhen 27 vjet nga krimi në ‘Panda’, dhe se urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në dosjen e rastit ende shënohen si persona të panjohur (NN persona), atëherë kjo do të thotë se metodologjia e deritanishme e punës së prokurorisë ka qenë e gabuar, sepse nuk ka dhënë rezultate efektive, dhe për këtë arsye është i nevojshëm një qasje ndryshe për zgjidhjen e këtij rasti. Personi që e ka turbulluar më së shumti situatën dhe që në mënyrë të vetëdijshme po e pengon drejtësinë është presidenti aktual i Republikës, Aleksandar Vuçiq, i cili në disa raste vetë ka pranuar se e di se çfarë ka ndodhur, si dhe nga dora e kujt, në ‘Panda’ më 14 dhjetor 1998", vlerësoi avokati.
Ai shtoi gjithashtu se prokuroria nuk pati “guxim dhe vullnet” për të thirrur dhe intervistuar të gjithë drejtuesit e atëhershëm të Regjionit të Sigurisë të Shtetit.
Niniq tha se kjo çon në dyshime se në vend të së vërtetës, drejtësisë dhe përgjegjësisë për vdekjen e gjashtë personave, po mbizotërojnë interesat e tjera, pa marrë parasysh se cila forcë politike është në pushtet.
Ndryshe, prindërit e të vrarëve kërkuan më shumë se dhjetë herë takim me presidentin e Serbisë, por ai nuk i ka pranuar asnjëherë, edhe pse disa herë ka premtuar publikisht. /Telegrafi/


