Please enter at least 3 characters.

Vrasja tragjike e presidentit të harruar amerikan, James Garfield

Presidenti i 20-të amerikan, James Garfield (1831-1881)

Getty Images

Nga: Clare McHugh / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1880, ShBA-ja ndodhej në një udhëkryq. A do t’i gëzonin, më në fund, ish-skllevërit të drejtat e plota si qytetarë? A mund të reformohej sistemi i rrënjosur patronazhist - dhënia e vendeve të punës në qeverinë federale për të besuarit e partisë, në vend të kandidatëve më të kualifikuar? Në Konventën Kombëtare Republikane, në qershor, James Garfield u mor me këto pyetje duke i kërkuar kombit të përmbushte premtimet e tij për të gjithë. Duke dëgjuar fjalimin e tij elokuent, qindra delegatë u ngritën dhe bërtitën në shenjë miratim, përpara se të kërkonin që ky kongresmen nga Ohajo të ishte kandidati i tyre.

Garfieldi u përpoq të refuzonte nominimin e partisë së tij. Këmbënguli se nuk kishte dëshirë për presidencën. Por, vala e mbështetjes për Garfieldit - i cili kishte arritur në një post kombëtar nga varfëria, si Abraham Lincolni, dhe që kishte treguar heroizëm si komandant në anën e Unionit gjatë Luftës Civile - rezultoi e pandalshme dhe, në nëntor të vitit 1880, ai u zgjodh presidenti i 20-të i vendit.

Portrete të presidentit James Garfield (majtas) dhe vrasësit të tij Charles L. GuiteauGetty Images

Ajo që ndodhi më pas paraqet një ndër kapitujt më tragjikë në analet e historisë presidenciale: i qëlluar katër muaj pas inaugurimit të tij, Garfieldi në fund vdiq nga sepsa. Në veprën e saj bestseller për Garfieldin, Fati i Republikës: Një rrëfim për çmendurinë, mjekësinë dhe vrasjen e një presidenti [Destiny of the Republic: A Tale of Madness, Medicine, and the Murder of a President], autorja Candice Millard rrëfen mjeshtërisht historinë. Libri i vlerësuar me çmime ishte baza e një dokumentari me dy pjesë, Vrasja e presidentit [The Murder of a President], i transmetuar në ShBA në rrjetin PBS në vitin 2016.

Përballja me një “sikur” të madhe në historinë e ShBA-së

Tani Netflix është vendi i përshtatjes së re ambicioze të veprës së Millardit. Vdekja nga rrufeja [Death by Lightning], një dramë me katër pjesë e shkruar nga Michael Makowsky, me aktorët Michael Shannon në rolin e James Garfieldit dhe Matthew Macfadyen si Charles Guiteau - njeriu që e qëlloi atë. Çfarë mund të kenë shikuesit nga ky realizim? “Shpresoj që të jetë një kujtesë se nuk ke nevojë për një ngjarje të madhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë”, thotë Millard për BBC. “Në këtë rast, kombinimi i çmendurisë së një njeriu dhe padijes së një tjetri dhe ambicieve të vogla shkatërroi një komb të tërë”.

Shumë kohë përpara se të qëllonte Garfieldin, Guiteau shfaqte shenja të paqëndrueshmërisë mendore, megjithatë kurrë nuk u trajtua apo u izolua në atë epokë të psikiatrisë rudimentare. Sa i përket mjekut arrogant Dr. Wilfred Bliss - që nguli këmbë të mbikëqyrte kujdesin ndaj presidentit, pasi u qëllua - ai përqeshi metodën më të fundit antiseptike për trajtimin e plagëve, duke përdorur instrumente të pasterilizuara dhe madje edhe gishtin e tij për të kontrolluar vrimën pranë shtyllës kurrizore të Garfieldit. Faji për vdekjen e presidentit mund t’i vihet plotësisht Dr. Blissit, siç e përshkruan në mënyrë të dhimbshme Millardi.

Skenaristi Makowsky e zgjodhi Fatin e Republikës të Millardit nga oferta dy për një, e mori në shtëpi dhe e lexoi përnjëherë. Menjëherë e paramendoi si një dramë televizive. “E thirra autoren në telefon dhe në fillim ajo tha jo”, i thotë ai BBC-së. “Duhej ta bindja të ma besonte projektin”.

Makowsky mund t’ia tregonte përvojën e tij të mëparshme në dramatizimin e ngjarjeve të vërteta. Një film për krim të vërtetë që ai shkroi për HBO-në, Edukimi i keq [Bad Education] - rreth një drejtori mashtrues të një shkolle, Frank Tassone, nga qyteti i lindjes së Makowskyt, Roslin në Nju-Jork - fitoi çmim Emmy në vitin 2019. Tregimi i historisë së Garfieldit nënkuptonte përballimin me një "sikur" të vazhdueshme historike: po sikur presidenti premtues të mos ishte shënjestruar nga atentatori, çfarë mund të kishte arritur? “Mund të ketë qenë një nga presidentët tanë më të jashtëzakonshëm. Kishte intelekt të shkëlqyer. Është tragjedi fakti që është lënë në harresë, si një shënim në fund të faqes”, thotë Makowsky.

Ceremonia e inaugurimit të Garfieldit në mars të vitit 1881Getty Images

Detyra thelbësore e Makowskyt ishte të përzgjidhte nga analiza e detajuar e Millardit për historinë e atentatit dhe të ndërtonte një rrëfim tërheqës për shikuesit televizivë. Fati i Republikës përfshin pjesë nga përçarjet brenda Partisë Republikane, antiseptikët e preferuar nga kirurgu britanik Joseph Lister dhe shpikjen nga Alexander Graham Bell të një detektori të hershëm metali që u përdor më vonë për të kërkuar plumbin në trupin e Garfieldit. Makowsky zgjodhi të përqendrohej në rrugëtimin e veçantë të Guiteausë dhe Garfieldit. “Të dy burrat kishin shumë dëshirë të njiheshin”, tha ai. “Njëri e çon veten në postin më të lartë të vendit, ndërsa tjetri ndjek madhështinë dhe nuk e arrin kurrë”.

Motivi i vrasësit

Në periudha të ndryshme, Guiteau dështoi si avokat, gazetar dhe predikues evangjelist. Ai madje dështoi edhe në një komunë të dashurisë së lirë së cilës iu bashkua; asnjë grua nuk pranoi të flinte me të, siç tregon Millardi. Megjithatë, ai gjithmonë besonte se Zoti e kishte caktuar për një qëllim madhështor. Guiteau u fiksua pas Garfieldit - pas nominimit të papritur të kongresmenit - dhe udhëtoi drejt Nju-Jorkut në verën e vitit 1880, i përcaktuar që të luante një rol vendimtar për të siguruar fitoren e tij në zgjedhjet e përgjithshme. Guiteau lodhi stafin në zyrën e fushatës së Garfieldit në Nju-Jork, derisa iu lejua të mbante një fjalim të vetëm, të çorganizuar, në mbështetje të kandidatit.

Garfieldi kundërshtoi zëshëm sistemin e shpërblimeve për mbështetësit, megjithatë Guiteau besonte fort në të. Ai priste që, në këmbim të mbështetjes së tij, Garfieldi - tani president - do t’ia jepte një post të rëndësishëm. Ambasador në Francë ishte zgjedhja e tij e parë. Njeriu i mashtruar udhëtoi drejt Uashingtonit dhe u shfaq çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me turma të tjera të kërkuesve që ngulmonin për poste të larta. Guiteau madje u përball një herë drejtpërdrejt me heroin e tij, në zyrën e presidentit, ku i dorëzoi Garfieldit një kopje të fjalimit të tij elektoral, me “Konsullata e Parisit” të shkruar në të dhe me një vijë që lidhte ato fjalë me emrin e tij.

Ndërkohë, Garfield nisi një agjendë ambicioze për presidencën e tij, duke përfshirë përmirësimin e Marinës së ShBA-së, synimin për të zgjeruar tregtinë me Amerikën Latine dhe mbrojtjen e të drejtave civile. Ai e emëroi reformatorin social, Frederick Douglass - dikur të skllavëruar - si regjistrues aktesh për Distriktin e Kolumbisë, duke qenë afro-amerikani i parë që mbajti një post të shquar federal. Në të njëjtën kohë, Garfieldit iu desh të përballej me Roscoe Conklingun, senator republikan nga Nju-Jorku - ndoshta politikani më i fuqishëm në vend, falë kontrollit të tij të tërthortë mbi të ardhurat fitimprurëse doganore që rridhnin nga porti i Nju-Jorkut. Conklingut s’i pëlqenin instinktet progresive të Garfieldit dhe as kundërshtimi i tij ndaj sistemit nepotist. Ai tashmë ia kishte imponuar kandidatit Garfield, si nënpresident, bashkëpunëtorin e tij Chester A. Arthur. Tani Conklingu kërkonte të bllokonte emërimet e Garfieldit në Kabinet.

Pasi sjellja e çuditshme dhe shpërthimet e paparashikueshme të Guiteausë bënë që atij t’i ndalohej hyrja në Shtëpinë e Bardhë, ai filloi të shfaqej në zyrën e sekretarit të Shtetit, James Blaine. Një ditë, ai iu lut drejtpërdrejt Blaineit, por u informuar në mënyrë të prerë se nuk do t’i jepej kurrë një post në administratën e Garfieldit.

Ilustrim i momentit kur Guiteau qëlloi Garfieldin në stacionin hekurudhor Baltimor dhe PotomakGetty Images

Pa para apo perspektivë, Guiteau u tërhoq në pansionin e tij të rrënuar. Aty, i shtrirë në shtrat, pati atë që më vonë e quajti frymëzim hyjnor: Garfieldi nuk ishte republikan i “vërtetë”, ndryshe nga nënpresidenti i tij. Në gjendjen e tij të përhantë, Guiteau arriti në përfundimin se i takonte atij të vriste Garfieldin dhe ta bënte Arthurin udhëheqës të kombit.

Fatkeqësisht, presidenti nuk ishte i vështirë për t’u shënjestruar. Ai ecte kudo pa mbrojtje, ndonëse John Wilkes Booth kishte vrarë presidentin Abraham Lincoln vetëm 16 vjet më parë. “Vrasja nuk mund të parandalohet më shumë sesa vdekja nga rrufeja”, shkroi Garfieldi në një letër, “dhe është më mirë të mos shqetësohemi për asnjërën”. Pasi e përcolli Garfieldin për disa ditë, Guiteau e qëlloi atë më 2 korrik 1881 në stacionin hekurudhor Baltimor dhe Potomak në Uashington.

Shprehja e Garfieldit, “vdekje nga rrufeja”, i mbeti në mend Makowskyt i cili e zgjodhi si titull për veprën e tij. Ai bashkëpunoi me regjisorin Matt Ross për zgjedhjen e aktorëve dhe u ndje me fat që rekrutoi Michael Shannonin për rolin e Garfieldit dhe Matthew Macfadyenin për rolin e Guiteausë.

“Ia dolëm më mirë nga sa pritej në përzgjedhjen e trupës”, tha Makowsky. Pas një vizite gjatë xhirimeve që u bënë në Hungari, autorja Millard u pajtua. “Michael Shannon po bën një punë të mahnitshme në pasqyrimin e shkëlqimit dhe dinjitetit të Garfieldit, por mbi të gjitha të dashamirësisë së tij, që ishte diçka për të cilën jam kujdesur shumë”, thotë ajo. “Dhe, Matthew Macfadyen, të cilin e kam ndjekur dhe admiruara në kaq shumë role, thjesht bëhet Charles Guiteau me gjithë çoroditjen, iluzionin dhe marrëzinë e tij që ta bën zemrën copë”.

Pjesë të skenarit të Makowskyt ndjekin nga afër historinë; në pika të tjera ai përdor lirinë artistike. Takimi i vetëm i Guiteausë me presidentin në Shtëpinë e Bardhë ishte, në realitet, ndoshta formal dhe i shkurtër, por në qasjen e Makowskyt, njeriu i çmendur ka një mundësi të shprehë gjithë dëshirat e tij të mjera ndaj Garfieldit. Dhe, Macfadyen jep një interpretim të fuqishëm. “Jam njeriu yt”, thotë aktori me zërin që i dridhet dhe sytë e përlotur. “Më ndihmo ta arrij sukses si ti. Hape derën ... të lutem. Më thuaj si mund të bëhem edhe unë i madh”.

Makowsky shpreson që publiku të ketë njëfarë empatie për Guiteaunë, pavarësisht veprës së tij të tmerrshme për të cilën u var më 30 qershor 1882. “Ishte e lehtë ta shpërfillje”, thotë skenaristi. “Por, izolimi ekstrem që ai përjetoi në botë, refuzimi i vazhdueshëm, padyshim që e lënduan dhe nuk ekzistonin mekanizmat për ta ndihmuar. Vendi në fund e pagoi çmimin për këtë”.

Trashëgimia e Garfieldit

I gjori Garfield - duke vuajtur nga dhimbjet, temperatura dhe shqetësime të vazhdueshme nën kujdesin shkatërrimtar të Blissit - filloi të mendohej, teksa vdekja afrohej, se çfarë do të sillte e ardhmja. Siç rrëfen Millardi, ai ia shtroi një pyetje një miku: “A mendon se emri im do të ketë një vend në historinë e njerëzimit”?

Michael Shannon në rolin e GarfielditNetflix

Garfieldi në fakt bëri ndryshimin. Dhimbja kombëtare për vrasjen e tij, në moshën vetëm 49-vjeçare, nxiti kërkesa të fuqishme për reformën e shërbimit civil. Publiku e kuptoi se zemërimi i Guiteausë - edhe pse i ushqyer nga çrregullimi i tij mendor - filloi kur atij iu mohua puna të cilën besonte se i takonte. Dhe, Arthuri, tani president dhe në zi për paraardhësin e tij të aftë dhe të pëlqyeshëm, hoqi dorë nga sistemi i korruptuar i nepotizmit që e kishte ngritur vetë atë në detyrë. Kur Kongresi miratoi Ligjin Pendleton në vitin 1883, duke krijuar standarde mbi bazën e meritës për punësim në qeverinë federale, Arthuri e nënshkroi atë që të bëhej ligj.

“Kështu nisi profesionalizimi i burokracisë federale, duke siguruar që ndërveprimet e amerikanëve me qeverinë të mos ndikoheshin nga politika e tyre personale”, shkroi biografi C. W. Goodyear, autor i librit Presidenti Garfield: Nga një radikal në unifikues [President Garfield: From Radical to Unifier]. “Përfitimet për brezat që pasuan kanë qenë të pamatshme”. /Telegrafi/