Vokrri: Kampioni do të luajë në Evropë, kriteret do të jenë të ashpra (Video)
Ky sezon pritet të jetë ndryshe nga kampionatet e kaluar për shkak se në fund të kampionatit të ri, kampioni i Kosovës pritet të luajë në Evropë, madje, përveç kampionit garat evropiane pritet t’i shijojnë edhe një ose dy klube tjera.
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se asosacioni sportiv të cilin ai e drejton, është gati të menaxhoj sezonin e ri të garave. Ai u ka bërë të qartë klubeve se në sezonin e ri kriteret do të jenë më të ashpra.
“Pikë se pari Federata e Futbollit ka punuar vazhdimisht edhe kur ka qenë në pauza, sidomos komisioni për pranimin e fushave, pastaj ka qenë seminari për administrator për sekretariat të klubeve që i kemi mbajtur para dy-tre ditësh, pastaj normat e gjyqtarëve, kontrollorëve, ka pasur takime të shumta që kjo sezone të zhvillohet siç është më së miri duke marrë parasysh agjendën tonë për pranimin në instancat ndërkombëtare. Sigurisht se edhe kriteret do të jenë më të ashpra ndaj disa klubeve të cilat kanë premtuar se do t’i përmbushin më përpikëri, sidomos për stadiumet, ku dy-tri stadiume si Llapi, Istogu, e ku është duke e punuar, dhe kjo është një gjë pozitive, ku është më rëndësi së këto klube të kenë infrastrukturën për zhvillimin e garave normale”, ka thënë Vokrri.
Numri një i futbollit tonë, është shprehur i bindur se në fund të këtij sezoni, klubet tona do të luajnë në Evropë. Vokrri thotë se kohëve të fundit ka ndryshuar shumë qasja e UEFA-së në raport me Kosovën. Sipas tij, FFK ka marrë premtime se nëse Kosova pranohet në UEFA në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë klubet tona do të futën në kalendarin e garave për garat evropiane.
“Ne në të gjitha takimet e deritashme dhe agjendën e harmanizuar me UEFA-n, sepse ju e dini se ne problemin kyç edhe gjatë këtyre viteve e kemi pasur në UEFA, ku është një nen famoz i cili nuk e mundëson integrimin tonë të plotë në UEFA, do të thotë neni i cili thotë se duhet te jeni anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ku Kosova nuk është, mirëpo, në kohët e fundit ka ndryshuar edhe qasja dhe është shumë më pozitive nga ana e UEFA-së dhe nga ana e zyrës ligjore të tyre, dhe na është thënë se ky kampionat nëse Kosova pranohet në fillim të vitit të ardhshëm, e shpresoj se është një pritje reale, atëherë ky kampionat mund të jetë edhe kampionati nga i cili klubet tona do të dalin në arenën ndërkombëtare, sepse ne kemi pasur takim edhe me zyrën ligjore edhe me krerët e UEFA-së dhe me ata që janë kompetent që e bëjnë orarin e garave dhe të ndeshjeve evropiane. Ne edhe tek ai kemi hasur në mirëkuptim, i cili ka thënë se nëse pranohemi në fillim të vitit të ardhshëm, gjegjësisht pa filluar pjesa e dytë e kampionatit ose fillimi i pjesës së dytë të kampionatit teknik, atëherë në fund të sezonit sportiv në qershor-korrik të 2016 mund të jetë edhe kampionati i parë ku klubet tona mund të marrin pjesë”, ka theksuar Vokrri.
Ai ka shtuar se pikërisht për shkak të mundësisë që klubet tona të dalin në arenën ndërkombëtare, FFK ka mbajtur seminar të ndryshëm siç ishte seminari i fundit me përfaqësuesit e klubeve, të cilin e ka drejtuar sekretari gjeneral Eroll Salihu. Por, sipas Vokrrit, gjatë këtij muaji apo në muajin e ardhshëm, do të mbahet edhe një seminar tjetër, ku pjesë e këtij seminari do të jenë edhe zyrtarë nga UEFA.
Vokrri ka folur edhe për miqësoren e ardhshëm te përfaqësues sonë kundër Burkina Fasos, miqësore kjo që tashmë është në dyshim nëse do të luhet apo jo për shkak se Burkina Faso dëshiron të vijë në Kosovë më lojtarët U21-23. Por, sipas Vokrrit, kërkesa e Burkina Faso që të vijë më lojtarët U21-23 është refuzuar nga ana e FFK-së, sepse sipas tij, marrëveshja është që Burkina Faso të vijë më ekipin A.
“Ne e kemi informuar opinioni më kohë dhe kemi disa probleme të natyrës që është, sepse ata kanë menduar ta dërgojnë terë ekipin nga 21-23 vjeç. Unë nuk dyshoj se ata kanë talenta të jashtëzakonshëm, mirëpo, ne kemi kërkuar nga agjentët që aranzhojnë ndeshje së ne nuk jemi dakord që të zhvillojmë ndeshje të tillë, për arsye të shumta, dhe ata janë duke bërë çmos që se paku 60 përqind ekipit të jetë standard të Burkina Faso, dhe unë njoh shumë lojtarë të tyre që evulojnë në kampionatin francez dhe ka lojtarë edhe në kampionatin turk, është një ekip mjaft solide, dhe e vetmja kjo është arsyeja që ne momentalisht e kemi refuzuar, ende nuk dihet se a do të luhet apo nuk do të luhet. Unë kam dokumentin që duhet të luajë ekipi A i Kosovës dhe i Burkina Fasos, ky është problemi. Shumë shpejt do të definohet”, ka pohuar Vokrri.
Në rast se do të dështojë miqësorja mes Kosovës dhe Burkina Faos, atëherë sipas Vokrrit, me kërkesën e seleksionuesit Albert Bunjakut, të mbahet një kamp në Prishtinë dhe të përmbyllet me një ndeshje kontrolluese. /KosovaPress/


