VLEN: BDI-ja të tregojë nëse e mohon Gëzim Ostrenin
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj siç thonë, heshtjes së BDI-së pas deklaratave të Gëzim Ostrenit për Marrëveshjen e Ohrit dhe rolin e Ali Ahmetit, duke kërkuar nga kjo parti një përgjigje të qartë.
Nga VLEN-i thonë se pas konferencës së djeshme për media, ku u ngritën publikisht deklaratat e Ostrenit lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe trajtimin kushtetues të gjuhës shqipe, nga BDI-ja ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje.
“Është e pamundur që BDI-ja të heshtë përballë deklaratave të një prej figurave kryesore të vitit 2001, aq më tepër kur ato prekin drejtpërdrejt mënyrën se si është trajtuar gjuha shqipe në Marrëveshjen e Ohrit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, pyetja që duhet t’i përgjigjet BDI-ja është e thjeshtë: A e mohon Ali Ahmeti Gëzim Ostrenin?
“Ali Ahmeti e kishte përgjigjen gati. Fshihej pas Marrëveshjes së Ohrit për gjithçka që bëri dhe për shumëçka që nuk e bëri. Por kësaj here, Marrëveshja e Ohrit i zuri ngushtë dhe ua mbylli gojën. Jo për shkak të asaj që thotë VLEN-i, por për shkak të asaj që tha Gëzim Ostreni. Ostreni tha publikisht se, derisa Ali Ahmeti drejtonte lojën politike, gjuha shqipe nuk u fut në Kushtetutë me emrin e saj. Madje, ai tregoi se vetëm shumë vite më vonë kishte kuptuar se formulimi kushtetues nuk ishte “gjuha shqipe”, por gjuha e një komuniteti që përbën mbi 20 për qind të popullsisë. Ky nuk është pretendim i VLEN-it. Këtë e tha Gëzim Ostreni. Prandaj BDI-ja nuk mund të sillet sikur nuk dëgjon dhe nuk kupton. Nëse Ali Ahmeti e mohon Gëzim Ostrenin, le të dalë publikisht dhe të tregojë ku nuk qëndron deklarata e tij”, thonë nga VLEN.


