Vjosa Osmani pjesëmarrëse në premierën e dokumentarit “Melania” në Prishtinë: I uroj këtij filmi një sukses të madh në mbarë botën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte e pranishme në premierën e dokumentarit të shumëpërfolur “Melania”, një produksion që hedh një vështrim të thellë mbi jetën dhe rolin e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump.
Në një postim në Instagram, Osmani shkroi: “Melania” – premiera botërore që bashkoi ekranin e kinemasë në Kosovë me ekranet botërore, duke sjellë një perspektivë unike mbi familjen presidenciale amerikane dhe duke pasqyruar punën e jashtëzakonshme të Zonjës së Parë të SHBA-së, @flotus @melaniatrump. Ka qenë kënaqësi e veçantë të shijojmë një natë të bukur janari mes artistëve dhe shumë miqve të kinemasë”.
Dokumentari ofron një portret të rrallë të Melania Trump, duke treguar jo vetëm jetën e saj private dhe sfidat në Shtëpinë e Bardhë, por edhe përpjekjet e saj në fushatat humanitare, aktivitetet për fëmijët dhe mënyrën se si ka menaxhuar presionin e medieve dhe detyrat publike.
Filmi është realizuar me intervista ekskluzive, materiale arkivore dhe imazhe të pasura vizuale që tregojnë një pamje të rrallë të jetës së një Zonje të Parë të SHBA-së.
Premiera në Kosovë u organizua nga Presidenca, në bashkëpunim me Cineplexx, dhe solli një natë të veçantë kulturore, ku u mblodhën artistë, miq të kinemasë dhe figura publike.
Në video të shpërndara në rrjetet sociale shihet Osmani duke mbajtur edhe një fjalim përpara të ftuarve, duke theksuar rëndësinë e kulturës dhe artit në shoqëri.
Dokumentari “Melania” tashmë ka filluar shfaqjet në ekranet botërore dhe vlerësohet për mënyrën se si sjell një perspektivë të re mbi jetën publike dhe private të një prej figurave më të njohura amerikane. /Telegrafi/


