Please enter at least 3 characters.

Vihet gurthemeli i repartit të ri të Pediatrisë në Gjilan

Në Gjilan është vënë gurthemeli i repartit të ri të Pediatrisë, projekt që synon modernizimin e shërbimeve për fëmijët dhe krijimin e kushteve më të mira për trajtim dhe kujdes shëndetësor.

Në ceremoninë e gurthemelit morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas Hysenit, projekti përfshin investim rreth 1 milion euro dhe pritet të sjellë rritje të kapaciteteve dhe kushte më funksionale për pacientët e vegjël.

“Investimi prej afro 1 milion eurosh përfshin laborator modern, rritje të kapaciteteve me më shumë shtretër, ambiente funksionale dhe kënd lojërash për më të vegjlit”, ka deklaruar Hyseni.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se, paralelisht me këtë projekt, po vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar edhe punimet për çerdhen e re në lagjen “Tregu i Gjelbër”, të cilën e cilësoi si pjesë e zotimeve të komunës.

Në fund, Hyseni ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për mbështetjen, duke thënë se ajo po reflektohet në projekte konkrete për qytetin e Gjilanit. /Telegrafi/