Please enter at least 3 characters.

Vendoset gurthemeli i rrugës Shkup - Bllacë, do të ketë pesë tunele dhe tetë ura

Nën prezencën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, përfaqësues të BE-së, BERZH-it, si dhe krerëve shtetëror të Maqedonisë së Veriut, sot është vendosur gurthemeli i rrugës Shkup - Bllacë, i dhjetë kilometrit të fundit, ndërtimi i së cilës duhet të përfundojë për katër vite.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se kjo rrugë do ta afrojë më shumë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, si dhe qytetarët e tyre në mes vete. Kurti gjithashtu theksoi se rëndësia e kësaj rruge është përtej asaj infrastrukturore.

"Autostrada Shkup - Bllacë, mes pesë tunele, tetë ura e tetë galeri do ta përforcojë lidhjen infrastrukturore në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Rëndësia e kësaj është përtej infrastrukturës, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi për qytetarët dhe dy vendet tona. Çdo kilometër i ri rruge është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Njëkohësisht do t'u jep mundësi bizneseve tanë për të lëvizur mallrat dhe për të krijuar partneritete të reja. Kjo rrugë është pjesë e rrjetit evropian "Ten T" që afron Shkupin me Prishtinën", tha mes tjerash Kurti.



Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, këtë moment e cilësoi si historik, duke theksuar se pas 20 viteve ka nisur ndërtimi i rrugës Shkup - Bllacë.

"Mesazhi im i parë që dua të dërgoj sot është se pas pak më shumë se 20 vitesh, ky projekt po bëhet realitet. Një realitet i Qeverisë së udhëhequr nga OBRM-PDUKM, VLEN dhe ZNAM, një premtim që u dha në fillim të kësaj Qeverie, ishte pjesë e prioriteteve kryesore të punës së kësaj Qeverie dhe pres shumë shpejt që nga sot të shohim përparim të konsiderueshëm në punimet në terren dhe në kohë rekord, sigurisht, që ky projekt të realizohet. Gjithashtu, në kuadër të këtij mesazhi të parë, dua të shpreh kënaqësinë time që një kompani maqedonase do të kryejë punimet ndërtimore në këtë projekt. Kjo do të thotë se do të kemi vlerë të shtuar shtesë në ekonominë maqedonase, më shumë vende pune për qytetarët e Maqedonisë së Veriut — diçka që është një nga prioritetet kryesore të kësaj Qeverie", tha Mickoski.

Drejtori i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore në Maqedoninë e Veriut Koce Trajanovski, tha se për shkak të terrenit të vështirë në vetëm 10.5 kilometra rrugë do të ketë pesë tunele dhe tetë ura.

"Sot, nuk po vendosim vetëm gurthemelin e një autostrade, por po vendosim themelet për një Maqedoni më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lidhur me fqinjët e saj, rajonin dhe Evropën. Me fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup - Bllacë, nga kryqëzimi Stenkovec deri në pikën kufitare të Bllacës, me një gjatësi prej rreth 10.5 kilometrash, po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lidhjeje strategjike rajonale. Me përzgjedhjen e "Granit" si kontraktor, janë krijuar kushte konkrete për vendosjen e këtij gurthemeli. Ky investim është veçanërisht i rëndësishëm sepse na lidh me portin e Durrësit, me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë nëpërmjet Kosovës", tha Trajanovski.

Ai tha gjithashtu se financimi u sigurua përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 167.6 milionë eurosh, një granti nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor prej 30.82 milionë eurosh, fondeve nga buxheti i PESR për shpronësim, si dhe fondeve të granteve për projektuesit Hill International dhe ADT Omega.

Në fjalën e tij, Trajanovski foli edhe për karakteristikat teknike të autostradës, e cila do të ketë dy korsi, secila me nga dy korsi trafiku dhe një korsi ndalimi, me një gjerësi totale prej rreth 27.5 metrash.

“Kjo është autostrada më komplekse dhe e vështirë, e cila në një distancë të shkurtër prej vetëm 10.5 km do të ketë tunele, viadukte, ura, galeri të shumta dhe e cila do të jetë një sfidë si për projektuesit ashtu edhe për kontraktorët. Për shkak të terrenit kompleks kodrinor dhe malor, projekti parashikon ndërtimin e “5 tuneleve me tuba majtas dhe djathtas, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri, 9 mure mbajtëse. Periudha e ndërtimit është 4 vjet”, tha Trajanovski./Telegrafi/