Please enter at least 3 characters.

Vdekjet e punëtorëve, Bordi i KEK-ut kërkon llogaridhënie

Vdekja tragjike e punëtorit të KEK-ut, 32-vjeçarit Arbenit Ahmeti, është vdekja e katërt sivjet e punëtorëve të KEK-ut.

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK ka mbajtur një takim, në të cilin thuhet se “Bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. Në vendngjarje janë duke u zhvilluar hetimet përkatëse nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij rasti do të ndriçohen plotësisht përmes procesit hetimor”.

KEK në një postim në FB, thotë se “në kuadër të masave konkrete, Bordi ka kërkuar që të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë. Në këtë drejtim, KEK Sh.A. do të formojë një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Task Forca do të ketë për detyrë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre”.

Sipas KEK, “vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht është në fazën e implementimit. Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë gjithashtu si një nga bazat për ndërmarrjen e masave të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës”.