Vdekja në moshën 36-vjeçare, çfarë dihet deri më tani për aktoren Hayden Panettiere
Aktorja amerikane, Hayden Panettiere, e njohur për rolet në serialet "Heroes" dhe "Nashville", ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare.
Panettiere u gjet pa ndjenja të dielën, më 16 gusht, në një kompleks banimi në Greenville, Karolina e Jugut, ndërsa shërbimet emergjente u thirrën pas një raportimi për arrest kardiak.
Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, u shpall e vdekur në vendngjarje.
Zyra e mjekut ligjor të Greenville County bëri të ditur se autopsia është kryer dhe nuk janë gjetur shenja traume që mund të kenë shkaktuar vdekjen.
Shkaku dhe mënyra e vdekjes ende nuk janë përcaktuar dhe pritet të bëhen teste të tjera.
Policia ka deklaruar se hetimi paraprak nuk ka zbuluar shenja dhune apo rrethana të dyshimta.
Panettiere e nisi karrierën si aktore që në foshnjëri dhe u bë e njohur ndërkombëtarisht me rolin e Claire Bennet në serialin "Heroes".
Në jetën personale, Panettiere ishte nënë e një vajze, Kaya, të cilën e kishte me ish-boksierin ukrainas Wladimir Klitschko.
Gjatë viteve të fundit, aktorja kishte folur publikisht për betejën me varësinë dhe depresionin pas lindjes, duke treguar për vështirësitë që kishte përjetuar gjatë jetës dhe karrierës.
Lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar reagime të shumta nga kolegët dhe fansat. Familja e Panettiere ka kërkuar privatësi në këtë moment zie. /Telegrafi/


