Please enter at least 3 characters.

Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku një 20-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër punëtor mbeti i lënduar pas rrëzimit të një vinçi.

Në reagimin e tij, Inspektorati ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka bërë të ditur se rasti po trajtohet me prioritet.

“Inspektorati Qendror i Punës, edhe njëherë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur dje në një kantier ndërtimi në Prishtinë dhe i uron shërim sa më të shpejtë punëtorit të lënduar”, thuhet në njoftim.

Sipas Inspektoratit, për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet tjera kompetente.

“Ky rast po trajtohet me prioritet të lartë dhe Inspektorati Qendror i Punës është duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive”, thuhet në reagim.

Inspektorati ka sqaruar se kompetencë e tij është mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, sa i përket punëmarrësve, kontraktorëve, nënkontraktorëve dhe personave të tjerë të autorizuar që kanë qasje në kantier.

“Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në raport me punëmarrësit, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e tjerë që kanë qasje të autorizuar në kantier, është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, për sigurinë e palëve të treta dhe parandalimin e dëmeve jashtë kantierit, Inspektorati ka bërë të ditur se përgjegjësia bie mbi inspektoratet komunale të ndërtimit.

“Ligji për Ndërtim, përkatësisht neni 35, përcakton se përgjegjësia për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit i takon inspektorateve të ndërtimit të komunave përkatëse”, thuhet në reagim.

Inspektorati ka theksuar se në këtë fazë nuk mund të nxirren përfundime përfundimtare për shkakun e aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme.

“Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësitë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, ka deklaruar Inspektorati.

Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se nëse gjatë hetimeve konstatohen shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të ndërmerren masat ligjore brenda kompetencave të tij.

Në fund, Inspektorati ka kërkuar forcim të koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për lejet ndërtimore dhe mbikëqyrjen e kantiereve, duke bërë të ditur se aktualisht nuk njoftohet në mënyrë sistematike nga komunat për fillimin e punimeve të reja.

“Për pasojë, planifikimi i mbikëqyrjes inspektuese bazohet në monitorimin e vazhdueshëm të territorit, raportimet e qytetarëve dhe burime të tjera të informacionit, e jo në një mekanizëm ndërinstitucional të shkëmbimit të të dhënave”, thuhet në reagim. /Telegrafi/