Varroset edhe Armela Segashi (Foto/Video)
Qindra qytetarë nga Podujeva dhe nga vise të tjera të Kosovës janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit edhe Armela Segashit, 14-vjeçja që u vra të premten në sulmin në Munich të Gjermanisë.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë edhe shumë personalitete të institucioneve lokale e qendrore dhe përfaqësues të partive politike.
Në mesin e të pranishmëve kanë qenë edhe familjarë të Dijamant Zabërgjes, 21-vjeçit që u vra po ashtu të premten në të njëjtin sulm të armatosur.
Në një fjalim rasti, ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se ishte aty me bashkëpunëtorë për të përkrahur moralisht familjen e Armelës dhe për ta ndarë bashkërisht dhimbjen.
“Ne kemi diasporë të madhe dhe kur kjo ndodhi në Mynih e kisha një parandjenje të keqe dhe dora kriminele bëri që këta të rinj, Armelën e Dijamantin, t’i presim në këtë mënyrë. Fatkeqësisht Dijamantin e Armelën nuk i pritëm siç donim duke ju uruar mirëseardhje me moton “Ti je pjesë e Atdheut’. Ju kërkoj që të jeni të fortë në këtë dhimbje”, tha ministri para të pranishmëve.
Pas lamtumirës së fundit që iu dha Armela Segashit, vëllai i saj, Arbnori tha se do mundohen të bëhen të fortë, më së shumti për nënën dhe babin e tij.
“Këto ditë kanë qenë të vështira për ta”, tha ai.
Viktima tjetër e sulmit të përgjakshëm në Munich – Dijamant Zabërgja u varros sot në varrezat e fshatit Ropicë të Vushtrrisë.
Armela Segashi, Dijamant Zabërgja e Sabina Sulaj janë tre të rinjtë me origjinë nga Kosova që u vranë në sulmin e armatosur në një qendër tregtare në Munich të Gjermanisë.
Autor i këtij sulmi ishte një i ri gjerman me origjinë iraniane, i cili pasi vrau 9 persona dhe plagosi rreth njëzet të tjerë bëri vetëvrasje.
Arkivolet me trupat e Dijamantit dhe Armelës janë sjellë mbrëmë në mesnatë në Kosovë.
Në shenjë nderimi për viktimat me origjinë nga Kosova, presidenti Hashim Thaçi kishte shpallur të dielën ditë zie në vend.


