Please enter at least 3 characters.

US Open në gjysmëfinale: Sinner përballet me Auger-Aliassime, Alcaraz luan ndaj Djokovic

US Open ka hyrë në fazën më vendimtare, me katër emrat e mëdhenj që kanë siguruar gjysmëfinalet, ku priten përballje të forta.

Kampioni aktual dhe numri një në botë, Jannik Sinner, mposhti bashkëkombësin Lorenzo Musetti 3:0 në sete (6-1, 6-4, 6-2), duke hyrë për herë të radhës mes katër më të mirëve.

Italiani 24-vjeçar, i cili ka një rekord të pastër prej 16-0 ndaj lojtarëve italianë, tani do të përballet me kanadezin Felix Auger-Aliassime, i cili në të kaluarën ka fituar dy nga tre përballjet direkte, megjithatë Sinner e dominoi duelin e fundit në Cincinnati.

Në anën tjetër të shortit, Novak Djokovic ka eliminuar amerikanin Taylor Fritz me 3:1 në sete (6-3, 7-5, 3-6, 6-4).

Pengesa e radhës për të është spanjolli Carlos Alcaraz, numri dy i botës, në një përballje që pritet të ndezë atmosferën e Flushing Meadows.

Gjysmëfinalja Sinner – Auger-Aliassime dhe supersfida Djokovic – Alcaraz do të zhvillohen të premten, ndërsa finalja e madhe e US Open është caktuar për të dielën./Telegrafi/