Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë renditet i dyti në rangimin kombëtar të universiteteve publike në Kosovë
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) prezantoi rezultatet e Rangimit Kombëtar të Universiteteve Publike. Ky rangim shënon një hap pozitiv drejt matjes objektive të performancës së institucioneve të arsimit të lartë në vend dhe krijimit të një kulture të re të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies.
Në këtë rangim, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është renditur në vendin e dytë në nivel vendi, duke konfirmuar rritjen e tij të vazhdueshme dhe progresin e prekshëm që ka arritur vitet e fundit në fushën akademike dhe shkencore. Ky rezultat është një dëshmi se universiteti ka konsoliduar rolin e tij si një institucion serioz, dinamik dhe me vizion afatgjatë për të ardhmen e arsimit dhe kërkimit në Kosovë.
Rangimi është ndërtuar mbi indikatorë të matshëm, të cilët sigurojnë vlerësim të drejtë dhe objektiv të performancës së universiteteve publike. Ndër treguesit kryesorë të përdorur janë: Transparenca institucionale, që lidhet me hapjen e të dhënave dhe komunikimin publik të universiteteve; Barazia gjinore, që mat përfaqësimin e drejtë dhe përfshirjen e grave në strukturat akademike dhe udhëheqëse; Raporti student–staf, i cili tregon numrin e studentëve për çdo anëtar të personelit akademik; Suksesi në proceset e akreditimit, që lidhet me akreditimet e programeve të studimit dhe standardet e cilësisë akademike dhe Justifikimi i titujve akademikë, si tregues i integritetit profesional dhe akademik.
Këta tregues përbëjnë bazën mbi të cilën është matur realisht cilësia dhe performanca e universiteteve publike, duke treguar një pasqyrë të situatës së arsimit të lartë në Kosovë.
Pozicionimi në vendin e dytë është një arritje me rëndësi të veçantë për Universitetin “Haxhi Zeka”. Ky sukses është rezultat i reformave të vazhdueshme, përkushtimit të personelit akademik, përmirësimit të infrastrukturës arsimore, si dhe orientimit strategjik drejt rritjes së cilësisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore.
Universiteti ka bërë hapa të rëndësishëm në fuqizimin e kërkimit shkencor, në rritjen e numrit të publikimeve dhe pjesëmarrjes në projekte kombëtare e ndërkombëtare, duke treguar se vizioni i tij është i lidhur ngushtë me praktikat më të mira të universiteteve moderne evropiane.
Ky rezultat nuk është vetëm njohje e arritjeve të deritanishme, por edhe një përgjegjësi e re për të ecur përpara. Universiteti e sheh këtë vlerësim si një nxitje për të rritur edhe më tej nivelin e konkurrencës akademike, duke synuar që të shndërrohet në qendër të fortë të dijes, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror në Dukagjin dhe më gjerë.
Rangimi i publikuar nga ORCA i shërben IAL-ve për të ardhmen. Ai vendos standarde të reja mbi të cilat universitetet publike duhet të orientojnë politikat e tyre zhvillimore. Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky rezultat konfirmon se reformat e ndjekura deri tani janë të drejta dhe produktive.
Ky sukses i jep universitetit një rol të veçantë në debatin e përgjithshëm për të ardhmen e arsimit të lartë në vend. Duke pasur parasysh sfidat që lidhen me publikimet shkencore dhe burimet njerëzore, universiteti nënvizon nevojën që indikatorët e vlerësimit të përshtaten në mënyrë që të pasqyrojnë realisht kapacitetet dhe kontributin e secilit institucion publik.


