Please enter at least 3 characters.

Ukshin Hoti si intelektual i angazhuar

Ilustrim

Teksa fillova të shkruaj për Ukshin Hotin, s’munda t’i anashkaloja disa referenca për përkufizimin e intelektualit, të cilat më kishin mbetur më së shumti në mendje:

- “Ne kemi nevojë për liderë intelektualë, që janë të gatshëm t’i rezistojnë tundimit të pushtetit dhe popullaritetit, që janë gati të punojnë e t’i kushtohen një ideali, edhe kur shanset për realizimin e tij janë të vogla”, thoshte filozofi i madh austriak Friedrich Hayek.

- “Unë jam shumë në favor të guximit intelektual. Ne nuk mund të jemi njëkohësisht frikacakë intelektualë dhe kërkues të së vërtetës. Kush kërkon të vërtetën duhet të guxojë për të qenë një revolucionar në fushën e mendimit ... Intelektualët janë organet që shoqëria moderne ka zhvilluar për të shpërndarë dijen dhe idetë, dhe të gjitha konceptimet e reja kalojnë në shqyrtimin e imët të bindjeve dhe opinioneve të tyre, para se të arrijnë te masat”, thoshte një ndër filozofët më të shquar të shekullit XX, Karl Popper.

Të veçantat e këtyre përshkrimeve për intelektualin janë: tundimi ndaj pushtetit dhe popullaritetit; ndjekja e idealit edhe kur ai duket pak i arritshëm; guximi intelektual për të vërtetën; si dhe bartja e dijes te masat. Po të shikohen një nga një, te askush më shumë sesa te personaliteti i Ukshin Hotit nuk mishërohen së bashku të gjitha këto virtyte që e shquajnë intelektualin e vërtetë.

Depërtimi i mendimeve të Ukshin Hotit deri te masat

Unë, i rritur në një familje fshatare dhe me arsimim të ulët në vitet e ‘80-ta të shekullit XX, përveç emrit të Ukshin Hotit dhe fjalëve të tij, s’kisha dëgjuar emrin e ndonjë profesori apo intelektuali tjetër të madh në odën tonë. Ai ishte tashmë i pranishëm te të gjitha shtresat e popullit.

Kështu, Ukshin Hoti mendimin e tij prej politikologu nuk e mbajti të mbyllur vetëm në kabinetet akademike, sallat e ligjërimeve apo në punimet e tij shkencore. Jo. Duke e ditur gjendjen e rëndë, ai mendimin dhe ligjërimin e tij politik e përhapi dhe e zbriti kudo ku ishte populli. “Nëpër burgje unë vëreja se në shumicën e rasteve ishte fjala për të rinj të etur për çdo lloj diturie, por mbi të gjitha për dituritë mbi shoqërinë, politikën, filozofinë, historinë dhe antropologjinë”, tregon ai në librin e tij Filozofia politike e çështjes shqiptare. Rinia ishte në burg, edhe ai ishte në burg bashkë me ta, duke i shndërruar burgjet jugosllave në salla ligjërimi për çështje politike, publikisht të ndaluara për diskutim në atë kohë.

Pastaj, shihni pjesëmarrjen e tij si prijës në demonstratat e viteve ’90. Shihni ligjërimin e tij te artikulli Bëje ose vdis, nëpër oda, këmbëkryq me popullin, po në ato vite. Ai, si rrallëkush, donte që njohuritë e tij politike t’i bënte një me popullin, e jo larg tij.

Mund të thuhet se, përmes Ukshin Hotit, dija politike, edhe si shkencë edhe si filozofi, filloi të komunikojë me shqiptarët e okupuar nën Jugosllavi dhe filloi t’u ndihmonte atyre që t’i mendonin e rimendonin të gjitha strategjitë politike për të fituar lirinë, duke mos e përjashtuar as luftën e armatosur. “Luftërat janë gjithmonë irracionale, ndonëse zhvillohen për qëllime racionale ... Lufta nuk është perspektivë as për popullin shqiptar, por mundësitë për evitimin e saj nuk janë absolute”, thoshte Ukshin Hoti te Filozofia politike e çështjes shqiptare. Ai parashihte se, edhe pse lufta nuk është në frymën e integrimeve evropiane, ajo do të shpërthente nëse nuk lejohej jetësimi i Republikës së Kosovës.

Ky qëndrim i tij i përket mendimit realist mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilin, sipas tij, nuk e njihnin “njohësit” kosovarë të politikës në vitet ’90 [të shekullit XX]. Ajo politikë, sipas Hotit, ishte e ngarkuar edhe me moralizime ndaj atyre që mendonin ndryshe, siç ishte vetë ai (artikulli Ligji dhe demokracia). “Njohësit” e tillë, sipas tij, kishin krijuar artificialisht një disponim euforik sikur faktori i jashtëm “do ta binte republikën e Kosovës në Kosovë dhe, bile, pa ndonjë mund të madh, do ta mundësonte edhe bashkimin e trojeve shqiptare”.

Guximi intelektual dhe e vërteta

Lidhur me guximin për të vërtetën, si një veçanti tjetër që u mungon shumë intelektualëve, sidomos përballë pushtetit, Ukshin Hoti, me mendimin dhe guximin e tij intelektual, dha një ndihmesë të pashembullt në të kuptuarit e drejtë të zgjedhjes së mjeteve adekuate politike për çlirim.

Në vitin 1981 u burgos pikërisht pse, në ambientet e Universitetit të Prishtinës, pati guximin të ftojë publikisht edhe profesorët e tjerë për një debat të hapur lidhur me kërkesat e studentëve për Kosovën Republikë. Pastaj vjen fjala e tij mbrojtëse në Gjykatën e Qarkut në Prizren, në vitin 1994, ku ka thënë se “unë do të mbrohem me të vërtetën”, pasi ajo, sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me të, por me gjithë kontekstin politik për të cilin ishte burgosur. Në të njëjtin gjykim, ai e ftoi Serbinë ta njohë edhe de jure Republikën e Kosovës, sepse de facto e njeh; dhe aty argumenton hapur se qëllimi i tij është bashkimi i Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Vite më vonë, në librin e tij Filozofia politike e çështjes shqiptare, Hoti domosdoshmërinë e Republikës së Kosovës e argumenton duke e krahasuar me bashkimin e dy Gjermanive. Ai thotë se, ashtu siç bashkimi i tyre nuk u bë për inat të sovjetikëve, por për hir të bashkimit të Evropës, që ishte edhe në interes të sovjetikëve, ashtu edhe Republika e Kosovës nuk është krijuar për inat të serbëve, por sepse ajo është e drejtë e popullit shqiptar në Jugosllavi, rezultat i rritjes dhe pjekurisë së tij politike. Si e tillë, Republika e Kosovës do t’u ndihmojë edhe proceseve integruese të rajonit në Evropë.

Ukshin Hoti dhe morali në politikë

Në artikullin e tij Politika si art dhe moral, Ukshin Hoti e sheh moralin si të pandashëm nga politika. Politika si art i së mundshmes, sipas tij, rezulton nga libri Sundimtari i Makiavelit. Megjithatë, Hoti e konsideron politikën pa moral si anakronike dhe të dëmshme, pa marrë parasysh qëllimin që një politikë e tillë mund t’ia ketë vënë vetes. Për ta përforcuar mendimin e tij mbi moralin politik, ai i referohet edhe Tomas Morit në librin Utopia.

Edhe në këtë rast, ndërveprimin ndërmjet moralit dhe politikës ai e shqyrton duke marrë si shembull pozitën e popullit të tij, konkretisht helmimin e fëmijëve shqiptarë nga regjimi serb gjatë viteve ’90 të shekullit XX. Sado që ndër shqiptarë, sipas Hotit, dëgjoheshin opinione se serbët dukeshin si politikanë të aftë, përdorimi i mjeteve të pamoralshme politike, siç ishin mjetet helmuese, do të ishte në kundërshtim me interesat e tyre afatgjata. Ne tashmë jemi dëshmitarë të saktësisë së këtij parashikimi të tij.

Shkenca dhe filozofia politike në shërbim të çështjes shqiptare

Ukshin Hoti kujdeset që përkufizimin shkencor të dukurive politike gjithmonë ta plotësojë me gjendjen e shqiptarëve në Ballkan. Për një intelektual dhe patriot si ai, teoritë politike dukeshin të paplota po të mos përfshihej edhe çështja shqiptare. Zaten, a nuk është ky edhe qëllimi i shkencave politike: t’u dalin në ndihmë dhe t’i udhëheqin popujt në përpjekjet e tyre për liri, paqe dhe zhvillim?

Në këtë linjë mendimi, duke iu referuar Tomas Hobsit dhe Maks Veberit për aspektin pragmatik të politikës, dhe duke e presupozuar politikën si shkencë ose intelekt, Hoti thotë se, me kalimin e kohës, politika si shkencë u shndërrua, u reduktua dhe u instrumentalizua në funksion të përfitimit dhe të zotërimit mbi natyrën dhe njerëzit. Këtë ai e trajton në artikullin Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë. Por, kjo, sipas tij, paraqet vetëm të vërtetën e përkohshme të shkencës, sepse politika nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojë si e tillë.

Këtë aspekt degradues të politikës Ukshin Hoti e quan “cinizëm të intelektit”, sepse, sipas tij, politika si intelekt po instrumentalizohet në funksion të dominimit mbi njeriun dhe jo në funksion të çlirimit të tij. Si shembull për këtë, ai përmend memorandumin e viteve ’80 të Akademisë Serbe mbi gjoja pozitën inferiore të Serbisë në Jugosllavi. Pikërisht këtu Hoti vëren se Akademia Serbe, duke e vulgarizuar politikën, përpiqej të ndërtonte një “të vërtetë shkencore” për të mundësuar ndryshimin e raporteve në federatë në favor të kombit serb dhe në disfavor të shqiptarëve, duke manipuluar me fatin e tyre.

Duhet thënë se Ukshin Hoti depërton në të dy fushat e studimeve politike: në filozofinë politike dhe në shkencën politike. Analiza e tij në kuadër të filozofisë politike përfshin rrafshin normativ të politikës, pra sesi do të ishte mirë të zhvilloheshin ngjarjet politike. Shembull për këtë është analiza e tij mbi mënyrën sesi do të duhej të ishin raportet shqiptaro-serbe përmes pranimit paqësor të Republikës së Kosovës.

Kurse analiza e tij në kuadër të shkencës politike është përshkruese dhe tregon sesi janë dhe sesi zhvillohen ngjarjet politike, bazuar kryesisht në të dhëna empirike. Shembull për këtë është analiza e tij për të mos e përjashtuar luftën si mjet për arritjen e Republikës së Kosovës.

Nën dritën e këtyre fakteve, duket sikur pozita e popullit shqiptar nën Jugosllavi dhe dija politike e Ukshin Hotit kishin shumë nevojë ta ndihmonin dhe avanconin njëra-tjetrën. Kjo, kuptohet, brenda dy domeneve respektive: pozita e popullit shqiptar të avancohej në republikë duke u ndihmuar nga dija politike e Ukshin Hotit, ndërsa mendimi politik i Ukshin Hotit të zhvillohej edhe më tej duke marrë si rast studimi pozitën e rëndë të shqiptarëve nën Jugosllavi.

Ja një ilustrim sesi pozita e shqiptarëve në Jugosllavi e ndihmoi Ukshin Hotin ta rimendonte përkufizimin e tij për politikën si shkencë, duke kritikuar dhe plotësuar përkufizimet e studiuesve të tjerë të shkencave politike. Në artikullin e tij Politika si nënë e shkencave, Ukshin Hoti kritikon qasjen e politikologut të njohur slloven Adolf Bibič, i cili politikën e sheh nga pozita shoqërore dominante dhe të pandryshueshme, pra si “veprimtari shoqërore... që ka të bëjë me rregullimin e pozitës së njeriut dhe të elementeve strukturale të shoqërisë së bazuar mbi ndarjen shoqërore të punës”.

Duke e parë si të mangët këtë përkufizim dhe duke iu referuar edhe autorëve të tjerë, Ukshin Hoti e plotëson atë, duke e përkufizuar politikën si aktivitet jo vetëm për rregullimin e pozitës, por edhe për avancimin e pozitës së njeriut në shoqëri. Nga ky përkufizim i ri i tij, Ukshin Hoti, nga një këndvështrim krejtësisht shkencor, e legjitimon të drejtën e shqiptarëve jo vetëm për ta rregulluar autonominë që kishin, por domosdoshmërisht edhe për ta avancuar atë në republikë.

Këto veçanti intelektuale e bëjnë Ukshin Hotin një ndër personalitetet më të veçanta dhe më me ndikim në historinë moderne të kombit shqiptar. Mendimi i tij shkencor dhe vepra e tij patriotike duhet të studiohen edhe më tepër dhe do të jenë shembull si për studiuesit e rinj, ashtu edhe për brezat e rinj në përgjithësi.

true