Please enter at least 3 characters.

U zbulua nga shkrimet e veta: Gjeniu i matematikës që u bë vrasës serik

Theodore Kaczynski, i njohur si Unabomber, i veshur me rroba të portokallta burgu dhe me pranga, i shoqëruar nga agjentët federalë

(Getty Images)

Fushata e dhunës e Unabomber-it kishte hutuar hetuesit për pothuajse dy dekada. BBC raportoi për arrestimin e tij 30 vjet më parë, kur matematikani “i shkëlqyer” “kishte lënë një gjurmë që çonte drejt derës së tij”.

Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: 'The Unabomber's ego may have led to his downfall': The serial killer unmasked by his own writing)
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 3 prill 1996, agjentët federalë amerikanë rrethuan një kasolle të izoluar prej druri në pyjet e Montanës dhe nxorën prej andej Theodore Kaczynskin, një figurë të çrregullt që deri atëherë ekzistonte në mendjen e publikut vetëm si një burrë me kapuç dhe syze të errëta nga një skicë në posterin “i kërkuar”. Për gati 18 vjet, Unabomber-i ishte një nga kriminelët më të kërkuar në ShBA, një njeri misterioz, bombat primitive të të cilit dërgoheshin me pako pa një motiv të qartë ose model të rregullt.

Ajo që përfundimisht e futi në kurth ishin shkrimet e tij. Dy gazeta të mëdha amerikane u pajtuan të publikonin manifestin e tij kundër teknologjisë, nëse ai premtonte se nuk do të vriste më. Fjalët e tij karakteristike u identifikuan fillimisht nga gruaja e vëllait të tij, të cilën ai nuk e kishte takuar kurrë. Siç vuri në dukje Krishnan Guru-Murthy i BBC-së, “studiuesi që la profesionin për të jetuar në një kasolle primitive, kishte lënë një gjurmë që çonte drejt derës së tij”.

Kërkimi për Unabomber-in filloi në maj 1978 pasi një bombë primitive, e punuar në shtëpi, u dërgua me postë në Universitetin Northeustern në Ilinois, ndjekur nga një sulm i dytë pothuajse një vit më vonë. Në nëntor 1979, një bombë e aktivizuar në lartësi - të cilën ai e kishte dërguar me postë - shpërtheu në bordin e një fluturimi të kompanisë American Airlines. Ndonëse nuk funksionoi siç ishte menduar, 12 persona u trajtuan për thithje tymi.

Për shkak se objektivat e tij dukeshin të ishin universitetet dhe linjat ajrore, FBI-ja krijoi emrin e koduar UNABOM. Gjatë viteve në vijim ai përdori bomba gjithnjë e më të sofistikuara për të kryer 13 sulme të tjera dhe duke vrarë tre persona: pronarin e një dyqani kompjuterësh që jepeshin me qira, Hugh Scrutton, drejtuesin e reklamave Thomas Mosser dhe lobistin e industrisë së drurit, Gilbert Murray.

Meqenëse objektivat e tij ishin në thelb të rastësishme dhe bombat e tij ndërtoheshin prej materialeve të zakonshme, si copa druri dhe tela llambash, hetuesit punonin me shumë pak prova. Hetuesi kryesor balistik i FBI-së, Chris Ronay, e quajti atë “bombardues i riciklimit”. Ai i tha BBC-së në vitin 1996: “Në kazanë të plehrave dhe në kontejnerë kërkonte materiale të përdorura dhe gjente gjëra me të cilat pastaj mund të krijonte si një neandertal”.

Për të justifikuar dhunën e tij, në prill të vitit 1995 Unabomber-i dërgoi te The New York Times dhe The Washington Post një tiradë akademike prej 35 mijë fjalësh me titull Shoqëria industriale dhe e ardhmja e saj. Në ese ai argumentonte se jeta moderne gërryen lirinë dhe dinjitetin njerëzor dhe pretendonte se vetëm çmontimi i sistemeve teknologjike mund të parandalonte dëme të mëtejshme psikologjike dhe shoqërore. Ai ofroi të ndalonte vrasjet nëse shkrimi publikohej në dy gazetat më prestigjioze në vend. Botuesi i Washington Post-it, Donald Graham, i tha BBC-së në vitin 2016: “Ankthi fillestar ishte i dukshëm. Nëse i nënshtrohesh kësaj kërkese dhe pajtohesh ta publikosh këtë dokument, a mund të nxisë kjo kërkesa të tjera për të publikuar dokumente të ngjashme”?

- YouTube

Agjenti special i FBI-së, Terry Turchie, i tha BBC-së se hetuesit fillimisht menduan se do të ishte ide e keqe publikimi i manifestit, “sepse ishte thjesht larg normales”, por më pas e rishqyrtuan rastin. Ata arsyetuan se nëse manifesti do të publikohej, dikush pothuajse me siguri do ta njihte zërin që qëndronte pas tij “sepse këto fjalë janë kaq të zjarrta”. Pas tre muajsh hezitimi të mundimshëm, me këshillën e FBI-së drejtuesit e gazetave vendosën të publikonin esenë e Unabomber-it. Shumë amerikanë pyesnin veten pse një i arratisur, imazhi me kapuç i të cilit shfaqej në kaq shumë postera të FBI-së, ishte pajisur me atë që ata e shihnin si një dhuratë për çdo terrorist: një platformë publike për të përhapur pikëpamjet e tij.

FBI-ja ofronte një shpërblim prej një milion dollarësh për informacion që çonte në identifikimin dhe dënimin e Unabomber-it. E krijuar në vitin 1993, linja e saj falas telefonike, 1-800-701-BOMB, mori më shumë se 50 mijë njoftime. Me të gjitha të dhënat e reja që përmbante manifesti, imazhi i bombarduesit misterioz po bëhej më i qartë. “Egoja e Unabomber-it mund të ketë çuar në rënien e tij”, tha Krishnan Guru-Murthy për BBC. “Përveç ideve në traktat, mësohej më shumë për formimin akademik të bombarduesit nga letrat e tij drejtuar shkencëtarëve të njohur”. Task-forca UNABOM e FBI-së përpiloi një listë me 200 të dyshuarve. Pesë prej tyre u vunë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, të gjithë në Kaliforninë Veriore, ku detektivët besonin se ai fshihej.

Përparimi i madh në këtë çështje erdhi nga një burim i papritur: një shtetase amerikane që po kalonte pushimet në Francë me bashkëshortin e saj, David Kaczynski. Linda Patrik, profesoreshë filozofie, po lexonte një seri artikujsh për Unabomber-in në International Herald Tribune - gazetë në gjuhën angleze e botuar në Paris. Ajo i tha BBC-së në vitin 2016: “Pothuajse çdo ditë tjetër, shikoja këta artikuj dhe gërvishtja kokën, duke thënë, ‘uau, tingëllon disi si vëllai i Daveit’”. Një raport përmendte aftësitë e të dyshuarit në punime druri. Një tjetër përshkruante shmangien e tij nga teknologjia. Të tjerët rendisnin qytetet ku kishin shpërthyer bombat - vende për të cilat e dinte se vëllai i Davidit kishte jetuar ose punuar. Të marra së bashku, tha ajo, modeli u bë i pamundur për t’u injoruar. Ajo duhej t’ia bënte pyetjen e vështirë: “I thashë: ‘A është e mundur që vëllai yt të jetë Unabomber-i’”?

Davidi nuk ka besuar se kjo mund të ishte e vërtetë, tha Patrik, por kur lexoi manifestin, mbeti i tronditur. “Dave qëndroi aty duke parë ekranin e kompjuterit”, tha ajo. “Mund ta shihja duke lexuar faqen e parë dhe shprehja e tij ndryshoi rrënjësisht”. Ishte një skenar makthi, tha Davidi për BBC-në. “Po shqyrtoja fjalë për fjalë mundësinë që vëllai im të ishte vrasës serial, personi më i kërkuar në Amerikë, ndoshta në të gjithë botën”, tha ai. Dilema e familjes ishte e qartë. Nëse rrinin në heshtje, mosveprimi i tyre mund të sillte më shumë gjakderdhje. Por, nëse Tedi del të jetë Unabomber-i, ai mund të përballej me dënimin me vdekje. Davidi tha: “Si mund ta jetoja pjesën tjetër të jetës sime me gjakun e vëllait tim në duart e mia”?

Theodore Kaczynski, në vitin 1964, kur ishte një matematikan premtues përpara se të linte punën dhe të tërhiqej nga shoqëria(Alamy)

Në kërkimin 17-vjeçar për Unabomber-in, Theodore Kaczynski ishte i dyshuari UNABOM numër 2 416. Agjentja speciale e FBI-së, Dr. Kathleen Puckett, i tha programit Witness History të BBC-së në vitin 2025: “Kishte një arkë që nëna e tyre e mbante në Çikago, në shtëpinë familjare, dhe në atë arkë gjetëm versionin origjinal të manifestit, të shkruar me dorë”. Ishte një ese që Kaczynski kishte shkruar në vitin 1971 dhe që përmbante shumëçka nga të njëjtat ide.

Hetuesit mblodhën mjaftueshëm prova për një urdhër kontrolli - për kasollen e izoluar prej druri të Theodore Kaczynskit, ku ai jetonte pa ujë të rrjedhshëm apo energji elektrike. Sipas Kathleen Puckettit, “Kasollja ishte plot me dëshmi. Ishte një minierë ari”. Në mesin e zbulimeve ishin përbërësit për bomba; 40 mijë faqe ditarësh të shkruar me dorë që përshkruanin eksperimentet me bomba dhe rrëfimet e krimeve të Unabomber-it; si dhe një bombë funksionale e gatshme për t’u dërguar me postë.

Vëllai i Kaczynskit, David Kaczynski, u trondit kur pa arrestimin në lajme. Ai i tha BBC-së në vitin 2006: “Ai u nxor nga kasollja e tij mes dy mareshalëve federalë dhe dukej vërtet keq. Ishte krejtësisht i çrregullt. Rrobat e tij ishin vetëm lecka dhe nuk ishte larë prej muajsh. Dhe, pastaj ta dëgjoje të përshkruhej si një vrasës serial, një terrorist? Informacioni që kishin njerëzit nuk përputhej me të gjitha kujtimet që kisha për Tedin, e dini, atë djalin e vogël të mirë që kishte qenë vëllai im i madh”.

Një tablo e jetës së hershme dhe sfondit të Kaczynskit doli shpejt në pah. Një gjeni i matematikës me një IQ prej 167, kaloi dy klasa për të ndjekur Universitetin e Harvardit në moshën vetëm 16-vjeçare. Pas diplomimit në moshën 20-vjeçare, vazhdoi në Universitetin e Miçiganit. Sipas ish-profesorit të tij, Peter Duren, “Ai kishte shumë ide të mira, një matematikan shumë origjinal dhe, mbi bazën e tezës së tij, mori një punë në Berkelej dhe dukej se kishte nisur një karriere të shkëlqyeshme në matematikë”.

Por, diçka ndryshoi botëkuptimin e Kaczynskit, tha Krishnan Guru-Murthy. “Ai u rebelua kundër disiplinës në të cilën shkëlqeu dhe brenda dy vjetëve u largua. Pas periudhave në Jutah, ai u zhvendos në Montana, duke filluar një jetë të izoluar rurale në një komunitet të vogël me rreth një mijë banorë”. Ishte e qartë se ai kishte “një mendje të jashtëzakonshme”, vazhdoi Guru-Murthy. “Por, nëse hetuesit kanë të drejtë, gjithçka që kjo bëri ishte të ushqente zemërimin e një njeriu që përçmonte atë që përfaqësonte puna e tij”.

Kaczynski u dënua me burgim të përjetshëm - pa mundësi lirimi me kusht në vitin 1996 - dhe kaloi tri dekadat e ardhshme në burgje në të gjithë ShBA-në, kryesisht në burgun federal Supermaks në Kolorado. Ndërsa u diagnostikua si skizofren paranojak nga një psikiatër që e intervistoi në burg, ai pretendonte se gjithmonë kishte ditur saktësisht se çfarë ishte duke bërë. “Personalisht, jam i bindur që jam i shëndoshë mendërisht”, tha ai në një intervistë për Time në vitin 1999. Duke vuajtur nga përkeqësimi i shëndetit, Kaczynski bëri vetëvrasje në vitin 2023, në moshën 81-vjeçare. /Telegrafi/