Please enter at least 3 characters.

U kapën duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm, në pranga 3 persona në Elbasan

Tre persona janë vënë në pranga nga policia në Elbasan. Arrestimi i tyre ka ardhur pas dy operacioneve kundër transportimit të emigrantëve të paligjshëm. Policia bën me dije se ata u arrestuan në aksin Librazhd-Elbasan.

Në operacionin e parë u arrestua një 22-vjeçar i cili po transportonte 14 emigrantë. Në rastin e dytë u arrestuan dy të rinj të tjerë të cilët po transportonin 10 emigrantë. 23-vjeçari i arrestuar rezulton se po drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Policia ka sekuestruar dy mjetet e përdoruara për transportimin e emigrantëve.

“DVP Elbasan/Finalizohen nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, 2 operacione të njëpasnjëshme kundër dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim ilegal të kufijve drejt BE-së. Kapen në aksin “Librazhd–Elbasan”, dhe vihen në pranga 3 shtetas që transportonin në 2 raste, 24 emigrantë që kishin hyrë ilegalisht, në Shqipëri.

Njëri prej tyre e drejtonte automjetin me të cilin transportonte emigrantët, pa leje drejtimi. Sekuestrohen 2 automjetet.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për shtetas të përfshirë në veprimtarinë kriminale të transportimit kundrejt pagesave, të emigrantëve nga Vendet e Treta, të cilët synojnë të shkojnë ilegalisht, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan 2 operacione të njëpasnjëshme në këtë fushë.

Konkretisht, nga 2 ndërhyrjet e kryera në aksin rrugor “Librazhd–Elbasan”, u finalizuan operacionet e koduara:

-“Aksi”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, duke transportuar 14 emigrantë, shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan;

-“Aksi 01”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë, duke transportuar 10 emigrantë, shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Përrenjas. Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. R. e drejtonte automjetin me të cilin transportonte emigrantët, pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.