U bllokua aeroporti nga bora, legjenda e Juventusit pagoi 900 euro taksi për të arritur në ndeshje
Mbrëmë, Juventusi mori një fitore të rëndësishme 3:2 në udhëtim ndaj Bodo/Glimt, por para se topi të nisej në Norvegji, një ngjarje e veçantë ndodhi jashtë fushe.
Giorgio Chiellini, legjenda e klubit dhe aktualisht kreu i operacioneve të futbollit te “Zonja e Vjetër”, pati një aventurë të vërtetë për të arritur në stadium në kohë.
Chiellini, i cili i dha fund karrierës së tij si futbollist në vitin 2023, udhëtoi drejt Norvegjisë me drejtorin ekzekutiv, Damien Comolli, në një avion privat që u nis nga Torino ditën e ndeshjes. Mirëpo moti i keq i detyroi të devijonin fluturimin, duke u ulur 400 kilometra larg destinacionit, në qytetin suedez Arvidsjaur.
Për të mos humbur ndeshjen, dy drejtuesit e Juventusit u detyruan të thërrasin një taksi. Shoferi, Erik Granberg, e rrëfeu vetë këtë udhëtim të pazakontë.
“Nuk jam tifoz i futbollit, kështu që për mua nuk ishte asgjë e veçantë. Më thanë vetëm se po merrja disa njerëz nga Juventusi. Chiellini nuk foli shumë gjatë rrugës. Kur mbërritëm në Bodo, më pyeti nëse doja të qëndroja për ndeshjen, por refuzova. Më dhanë një shishe verë si dhuratë dhe paguan edhe 900 euro mbi faturën e taksisë sepse arritëm në kohë”, tha ai për Sportbladet.
Edhe pse një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, aventura e Chiellinit përfundoi me sukses – ai arriti në stadium dhe Juventusi mori tri pikë të vlefshme. /Telegrafi/


