Please enter at least 3 characters.

Turbullira në Fabrikën e Ujit në Klinë, “Hidrodrini” ndalon përkohësisht prodhimin e ujit të pijshëm

Pas reshjeve të fundit atmosferike, në Fabrikën e Ujit të Pijshëm në Klinë janë paraqitur turbullira të para në sistemin e përpunimit të ujit dhe në fundrrues.

Sipas njoftimit nga KRU “Hidrodrini” – Pejë, reshjet kanë ndikuar në funksionimin e pajisjeve të filtrimit, të cilat ishin në fazën provuese pas një periudhe njëmujore pune me mikrofiltra, përcjell Telegrafi.



Për këtë arsye, ekipet e specialistëve kanë filluar remontin dhe kontrollimin e detajuar të të gjithë sektorëve të fabrikës. Deri në përfundimin e punimeve, që pritet të zgjasin nga 3 deri në 5 ditë, fabrika do të ndalojë përkohësisht prodhimin e ujit të pijshëm nga mikrofiltrat.

Gjatë kësaj kohe, furnizimi me ujë për konsumatorët do të bëhet nga burimet ujore të mëparshme, derisa fabrika të rikthehet plotësisht në prodhim.

“Hidrodrini” ka apeluar qytetarët që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës, për shkak të turbullirave të shkaktuara nga reshjet. /Telegrafi/