Trump jep detaje për marrëveshjen me Iranin: Do të nënshkruhet në Evropë, SHBA-në do ta përfaqësojë JD Vance
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat me Iranin kanë arritur në fazën përfundimtare dhe se një marrëveshje e rëndësishme mes dy vendeve mund të nënshkruhet brenda pak ditësh, ndoshta që gjatë fundjavës.
Në një deklaratë të bërë publike, ai tha se është arritur një “marrëveshje e madhe” dhe se dokumenti ndodhet tashmë në fazën e fundit të përgatitjes.
Sipas tij, palët kanë bërë përparim të konsiderueshëm në bisedime dhe finalizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë shumë shpejt.
“Dokumenti është në fazën pothuajse përfundimtare dhe nënshkrimi mund të realizohet brenda disa ditësh”, tha 79-vjeçari, duke shprehur optimizëm për përmbylljen e procesit diplomatik.
Ai pretendoi se ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet në Evropë dhe se në të do të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
Trump shtoi se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes do të rihapet Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, e cila ka qenë në qendër të tensioneve të fundit në Gjirin Persik.
Lideri amerikan bëri të ditur gjithashtu se ka informuar për zhvillimet kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Të dy vendet konsiderohen aktorë të rëndësishëm rajonalë dhe janë ndjekës të afërt të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas përshkallëzimit të konfliktit në rajon dhe shqetësimeve për sigurinë e rrugëve detare ndërkombëtare. /Telegrafi/


