Trump i dhuron presidentit të ri të Kolumbisë 1 miliard dollarë për sigurinë
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se planifikonte të njoftonte një paketë sigurie prej 1 miliard dollarësh për administratën e presidentit të ri të Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, e krahut të djathtë.
Në një njoftim për shtyp, zyra e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit tha se paketa synon të ndihmojë Uashingtonin dhe Bogotan për të arritur “objektivat e përbashkëta”.
De la Espriella u betua si president të premten, në një ceremoni ku mori pjesë një delegacion amerikan, pjesë e të cilit ishte edhe ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche.
“Delegacioni demonstron angazhimin e SHBA-së për rigjallërimin e marrëdhënieve SHBA-Kolumbi dhe thellimin e partneritetit tonë të përbashkët në fushën e sigurisë dhe ekonomisë”, tha Departamenti i Shtetit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vlerësime të larta për De la Espriellan, duke e cilësuar atë një “udhëheqës të zgjuar, të fortë dhe të vendosur”, për të cilin parashikoi se do të ishte “jashtëzakonisht i suksesshëm” si president i Kolumbisë dhe si një mbështetje për të djathtën në vendin e Amerikës së Jugut.
Trump kishte deklaruar më herët se De la Espriella do të kishte “mbështetjen dhe fuqinë e plotë të Shteteve të Bashkuara pas tij” gjatë mandatit.
Të premten, Uashingtoni tha gjithashtu se Kolumbia tashmë i ishte bashkuar “Mburojës së Amerikave”, një aleancë qeverish që shtrihet nga SHBA-ja në të gjithë Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe që është zotuar të luftojë grupet e trafikut të narkotikëve.
“Administrata Trump mirëpret anëtarësimin e Kolumbisë në Mburojën e Amerikave dhe është e gatshme të mbështesë përpjekjet e administratës De la Espriella për të mposhtur organizatat e dhunshme narkoterroriste dhe kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të SHBA-së, Kolumbisë dhe të gjithë hemisferës”, tha Departamenti i Shtetit.
SHBA-ja është përfshirë gjithnjë e më shumë në Amerikën Latine gjatë mandatit të dytë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, duke kryer sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge që vinin nga rajoni dhe duke nisur një operacion për kapjen e ish-udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro.
Maduro që atëherë mbahet në paraburgim në New York, nën akuza që përfshijnë narkoterrorizëm dhe trafik droge, akuza për të cilat ai është deklaruar i pafajshëm.


