Please enter at least 3 characters.

Tre të lënduar në aksidentin mes tri veturave në rrugën Viti–Kllokot

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku ku janë përfshirë tri automjete, i cili ka ndodhur sot rreth orës 13:15 në aksin rrugor Viti–Kllokot.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit. Zëdhënësi rajonal, Valon Osmani, ka bërë të ditur se pas aksidentit të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Gjilanit.

“Me datën 25.05.2026 rreth orës 13:15 kemi pranuar informacion se në aksin rrugor Viti-Kllokot ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në të cilin kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë lëndime të trupore kanë pësuar tre persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në qendrën emergjente në Gjilan”, ka deklaruar Osmani.

Ai shtoi se njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit.

“Hetues policor të aksidenteve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke i hetuar rrethanat e këtij aksidenti”, ka thënë Osmani. /Telegrafi/