Trajkoviq: Vuçiq i ka sjellë serbët e Kosovës në katastrofë
Kryetari i Forumit Kombëtar Serb nga Graçanica dhe anëtari i Kryesisë së Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës, Momçillo Trajkoviq, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se me politikat e tij i ka sjellë serbët e Kosovës në një gjendje të rëndë politike dhe shoqërore.
Në një intervistë për gazetën beogradase Danas, ai tha se “fletëvotimi simbolik” që SNS-ja planifikon ta organizojë në Beograd me rastin e Vidovdanit, ku qytetarët do të rendisin prioritetet kombëtare, përfshirë edhe "luftën për ruajtjen e Kosovës", është vetëm një vazhdim i simulimit të politikës së Vuçiqit ndaj Kosovës.
"Kjo është vazhdim i manipulimit me këtë popull të pafat! Është përsosje e simulimit të luftës për Kosovën dhe e të ashtuquajturës luftë për serbët në Kosovë, të cilët Aleksandar Vuçiq i ka çuar në katastrofë. Ndërkohë, serbët në Kosovë po mbyten në politikën e tij të ndyrë, të lënë në mëshirën e Albin Kurtit, ndërsa ai (Vuciq) bashkë me rrethin e tij të ngushtë, 'feston' humbjen përpara tryezave plot me ushqime. Kjo është perverse!", ka thënë ai për Danas, përcjellë KosovaPress.
Trajkoviq, i njohur si një politikan nga radhët e serbëve të Kosovës qysh prej para luftës, shtoi se dalja nga kriza e shkaktuar nga presidenti serb kërkon ndryshim të pushtetit në Beograd, distancim nga politikat e Vuçiqit dhe të Listës Serbe, për të cilën thotë se është instrument të politikës së Vuçiqit si dhe krijimin e një pluralizmi të ri politik mes serbëve në Kosovë.
Duke komentuar vendimin e Shtëpisë së Bardhë për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor, ai tha se kjo tregon se Uashingtoni vazhdon ta konsiderojë rajonin, veçanërisht Kosovën, si zonë me rëndësi për sigurinë, ndërsa vlerësoi se një nga arsyet mund të jetë edhe ruajtja e rolit të bazës ushtarake amerikane "Bondsteel". /kp/


